Transmetuar më 02-03-2021, 08:08

Një tregues i rëndësishëm për administrimin e vaksinave për ata që kanë kontraktuar më parë Covid 19, vjen nga agjencia italiane e ilaçeve.

Sipas disa burimeve, AIFA, në fakt ka këshilluar Ministrinë e Shëndetësisë për administrimin e një doze të vetme, që do të kryhej gjashtë muaj pas shërimit dhe pa ndonjë efekt anësor të mëvonshëm.

Opinioni i AIFA-s, i cili ndjek hulumtimet mbi zhvillimin e antitrupave tek njerëzit që janë sëmurë me Covid, duhet të përfshihet në një qarkore të re nga Ministria e Shëndetësisë në Itali.

Një vendim i tillë, do të ishte shumë i rëndësishëm, sepse do të vinte në dispozicion shumë më tepër doza vaksinash.

Jo vetëm kaq, ajo gjithashtu do të konfirmonte hipotezën se ata që janë shëruar, mund të jenë më pak subjekt i infeksioneve të reja, të paktën brenda një periudhe të kufizuar kohore.

Ndërkohë, Komisionerja e BE-së për Shëndetësinë, Stella Kyriakides, njoftoi se Komisioni Evropian ka nënshkruar një kontratë të dytë me "Moderna"-n për furnizimin e 300 milionë dozave të tjera të vaksinës të zhvilluara nga kompania farmaceutike (150 milionë në 2021 dhe një mundësi për blerjen e 150 milionë të tjerave në 2022-in), në emër të të gjitha shteteve snëtare të BE-së.

Kontrata e re parashikon gjithashtu mundësinë e dhurimit të vaksinës me vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme ose rishpërndarjen e saj në vendet e tjera evropiane, tha Komisioni në një deklaratë.

Kontrata, "bazohet në portofolin tashmë të gjerë të vaksinave që do të prodhohen në Evropë, duke përfshirë kontratat e nënshkruara tashmë me BioNTech / Pfizer, AstraZeneca, Sanofi-GSK, Janssen Pharmaceutica NV, Curevac dhe Moderna.

Ky portofol i larmishëm i vaksinave, do t’i mundësojë Evropës që të ketë 2.6 miliardë doza, pasi të jetë demonstruar siguria dhe efikasiteti i vaksinave", – nënvizon ekzekutivi i komunitetit.

Komisioni dha autorizimin e kushtëzuar të marketingut për vaksinën e zhvilluar nga BioNTech dhe Pfizer më 21 dhjetor 2020, për vaksinën e Moderna më 6 janar 2021 dhe për AstraZeneca më 29 janar 2021.

"Sot ne kemi siguruar 300 milionë doza të tjera të vaksinës Covid-19 të prodhuara nga Moderna, e cila është tashmë në përdorim në Bashkimin Evropian. Kjo na sjell më afër qëllimit tonë kryesor: të garantojmë për të gjithë europianët qasje në vaksina të sigurta dhe efektive. Në kohën më të shkurtër të mundshme. Me një portofol deri në 2.6 miliardë doza, ne do të jemi në gjendje të kemi vaksinat në dispozicion, jo vetëm për qytetarët tanë, por edhe për fqinjët dhe partnerët e BE", – tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. /e.a/noa.al/

Burimi: "Repubblica.it"