Transmetuar më 02-03-2021, 00:08

Kompozitori i njohur Agim Krajka u nda nga jeta këtë të hënë. Ai humbi jetën në moshën 83 vjeçare, ndërsa lajmin e dha i biri i tij përmes një postimi në rrjetet sociale.

Agim Krajka u lind në Kavajë në një familje me origjinë dibrane. Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë dhe përfshin një periudhë prej tri dekadash.

Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale.

Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë.

Krajka ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961.

Ai është nderuar me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Libohova.