Propozimi/ Brenda marsit pasaportë e gjelbër e COVID-19 që lejon lëvizjen e qytetarëve
Transmetuar më 01-03-2021, 20:20

Pas një viti të lodhshëm, ku miliona qytetarë janë izoluar në vendet e tyre, udhëtimet ndërkombëtare, për punë apo turizëm, mund të bëhen të mundura për sezonin e ardhshëm turistik.

Më të penalizuarit në Europë kanë qenë vendet jashtë bllokut, ku futet edhe Shqipëria, shtetasit e së cilës e kanë thuajse të pamundur të lëvizin në BE.

Komisioni Evropian do të bëjë një propozim për të ndezur një “leje jeshile” përpara fundit të marsit, teksa po bëhet gati të avancojë procesin e imunizimit.

Në një postim në Twitter, presidentja Ursula von der Leyen sqaroi se pasaporta digjitale synon të provojë si kryerjen e vaksinimit ashtu dhe rezultatin e testit të COVID.

Njoftimi vjen disa ditë pasi liderët e BE-së ranë dakord të hartojnë një plan për sistemin e certifikatave digjitale brenda verës.

Sipas kancelares gjermane Angela Merkel, sistemi i pasaportave mund të jetë gati dhe të funksionojë brenda 3 muajsh.

Sidoqoftë, në radhët e BE-së ka një debat mbi mënyrën e përdorimit të kësaj lejeje.

Vendet që varen nga turizmi, si Greqia, dhe grupet e linjave ajrore, dëshirojnë që dokumenti të shërbejë si një “pasaportë vaksinimi”, me qëllim që t’u lejojë udhëtarëve të shmangin karantinën.

Shumë vende anëtare mendojnë se një gjë e tillë është e parakohshme.

Vendet që udhëheqin BE-në druhen se do të krijojë dy nivele shoqërore, ku të vaksinuarit të gëzojnë jetën e lirë, ndërsa shumica, që pret vaksinimin, të vazhdojë të vuajë kufizimet./a.m/NOA.al