Transmetuar më 01-03-2021, 18:06

E ka mbytur dhimbja. Askush nga personeli mjekësor nuk e informon.

I ardhur nga Berati në Tiranë, prej 5 ditësh ai ka shtruar të ëmën 88-vjeçare në Spitalin Infektiv pas infektimit me Covid. Në mungesë të lajmeve nga brenda pavionit, tani vetëm shpreson që të paktën ajo të jetë gjallë.

“Nuk e di se çfarë bëhet me nënën time atje. Se ka vdekur, se do pastruar. Në të tërë vendet, në Maqedoni, Kosovë lejohet një njeri brenda të paktën 10 minuta që ta shikojnë. S’kemi mundësi tjetër. Unë nuk lëviz nga këtu”, thotë ai për Ora News.

Kërkon të paktën ta shohë përmes celularit, e që dikush nga infermierët t’i japë këtë mundësi komunikimi.

“Rëndësi për ne ka që dua të shikoj nënën me sy. 1 minutë, 2 minuta, një telefon t’ja lëmë atje brenda që ta shikoj është gjallë apo jo. Ngrijeni zëri për këtë gjendje të njerëzve, nuk është kaq kritike të mos shikosh një njeri 2 minuta”.

Ky nuk është rasti i parë që qytetarëve u mohohet e drejta për t’u informuar nga mjekët.

Në oborret e spitaleve Covid shumë familjarë e të afërm të pacientëve rrinë me ditë për të marrë të dhëna për të sëmurët në shtretër.

Ata që vijnë nga rrethet e kanë edhe më të vështirë. /k.k/noa.al/