Transmetuar më 01-03-2021, 12:32

Përshkallëzimi i tensioneve mes Greqisë dhe Turqisë ka vijuar edhe në ditët e fundit. Në fakt, Turqia është duke organizuar flotën e saj në veri të detit Egje, ndërsa grekët bashkë me francezët janë pozicionuar rreth Kretës, ndërkohë që në Aleksandropulos po stërviten bashkë me amerikanët.

Mediat greke, raportojnë se mbi ishujt grekë, Chios dhe Samos, është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm, i cili ka trembur mjaft banorë të zonës. Këta të fundit kanë telefonuar më pas policinë.

Në momentin që u dëgjua shpërthimi në zonë kaluan dy avionë F-16 turq, të cilët tejkaluan shpejtësinë e zërit, duke shkaktuar pikërisht shpërthimin në fjalë.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes së Greqisë nuk ka dhënë ende asnjë informacion mbi këtë shpërthim që u dëgjua.

Egjeu Lindor është kthyer tashmë në një teatër, ku aktorë të ndryshëm rajonalë, por edhe botërore janë duke treguar forcën e tyre ushtarake për qëllime të ndryshme.

Ndërkohë që SHBA-të dhe Greqia kanë njoftuar kryerjen e një stërvitjeje të përbashkët në kuadër të NATO-s, nën emrin “Defender Europe 21”, ku pritet angazhimi i më shumë se 140 helikopterëve dhe mijëra forcave ushtarake, në zonë po futet sërish Franca me armën e saj më të fuqishme detare, pikërisht aeroplanmbajtësen “Charles de Gaulle”.

Mediat turke raportojnë se aeroplanmbajtësja franceze është nisur tashmë me 20 avionë të avancuar “Rafale” dhe do të pozicionohet për kryerjen e disa manovrave në Egjeun Lindor para se të kalojë në Detin e Kuq dhe më pas në Oqeanin Indian.

“Kjo është një mbështetje e hapur ndaj Greqisë dhe interesave të saj në rajon”, shkruan “Milliyet“, ndërsa thekson se edhe disa anije amerikane, janë tashmë në zonë duke transportuar 146 helikopterë dhe forcat ushtarake që do të marrin pjesë në stërvitjen e madhe në Aleksandropulos, 20 kilometra larg kufirit turk, sipas ‘Abc news’.

Ndërkohë, Turqia nga ana e saj ka nisur përgatitjet për stërvitjen detare në Egje, duke angazhuar 28 anije dhe një numër të madh ushtarësh. /e.a/noa.al/\