Transmetuar më 27-02-2021, 15:50

Ecuria e pandemisë gjatë kësaj jave në Shqipëri do të jetë vendimtare për ndryshimin e masave. Aktualisht mbetet në fuqi orari policor, që nis në ora 20:00.

Por si ashpërsim të masave pritet që të mbyllen të gjitha shkollat dhe të kalojnë “online”, kufizime në ambjente të brendshme, si dhe në transportin publik si dhe në shërbime publike dhe private ku grumbullohen shumë njerëz.

Komiteti Teknik i Ekspertëve do të mblidhet sërish të hënën, për të marrë një vendim.

Anëtari i Komitetit Teknik të Ekspertëve, Andi Koraqi tregon se cilat janë masat që mund të ashpërsohen, nëse do të rritet numri i të infektuarve dhe atyre që kërkojnë shërbim spitalor.

“Do të ulet ora e kufizimit të lëvizjes dhe do të kalojmë të gjitha shkollat online. Në asnjë rast nuk do të vendoset për karantinë, sepse edhe vendet që kanë kaluar në karantinë nuk kanë dhënë rezultate”, tha ai i pyetur nga Tv KLan.

Anëtarë të Komitetit Teknik të Ekspertëve janë shprehur disa herë me shqetësim për rritjen e numrit të viktimave e të infeksioneve dhe kanë kërkuar nga qytetarë e biznese t’i respektojnë masat, si mënyrë për parandalimin e përhapjes se virusit.

Por duket se qytetarët nuk po i respektojnë këshillat, shqetësim ky që duhet thënë se është jo vetëm në vendin tonë, por në tërë Europën.

Në Shqipëri, numri i të shtruarve në spitale, ka pësuar gjithashtu rritje gjatë kësaj jave. Po ashtu edhe numri i vdekjeve është rritur, ndërsa shifrat e infektimeve nuk po bien. Janë këto treguesit kryesorë ku bazohen ekspertët për të rekomanduar ashpërsimin e masave./a.m/NOA.al