Transmetuar më 27-02-2021, 08:25

Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, "autorizoi" një operacion për të "kapur ose vrarë" gazetarin disident, Jamal Khashoggi në tetor 2018, sipas një raporti të inteligjencës amerikane të publikuar nga administrata e presidentit Biden pas deklasifikimit të tij.

Sipas dosjes, Bin Salman, e cilësoi reporterin si "një kërcënim për mbretërinë" dhe mbështeti gjerësisht "përdorimin e dhunës nëse është e nevojshme", për ta bërë të heshtë atë.

Ky është përfundimi i raportit të inteligjencës amerikane, i deklasifikuar dhe publikuar, mbi vrasjen e kolumnistit të "Washington Post", i cili në tetor 2018, u torturua dhe iu copëtua trupi nga një ekip agjentësh të Riadit në konsullatën Saudite në Stamboll.

Një operacion i tillë, sipas raportit, nuk do të ishte i mundur pa pëlqimin e Princit të Kurorës. Dosja mund të rrisë presionin mbi administratën e Bidenit, për t’i dhënë përgjigje mbretërisë për vrasjen brutale që shkaktoi dënime nga e gjithë bota dhe në SHBA, nga të gjitha kampet politike.

"Synimi ynë është të rikalibrojmë marrëdhënien, do të ketë një marrëdhënie tjetër me qeverinë saudite", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, menjëherë pasi u publikuan katër faqet e raportit.

Biden duhet të balancojë kritikat ndaj Riadit, me faktin që Shtëpia e Bardhë e sheh vendin si një partner strategjik.

Ndërkohë, Thesari ka njoftuar sanksione kundër Ahmad Hassan Mohammed al Asiri, ish-zëvendës Shef i Inteligjencës së Përgjithshme Saudite dhe Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë, për shkelje serioze të të drejtave të njeriut.

Ndërkohë, nuk ka asnjë sanksion kundër Mohamed Bin Salman. Sekretari Amerikan i Ahtetit, Antony Blinken, ka njoftuar "ndalimin" kundër atyre që ndjekin penalisht disidentët dhe duke vepruar në emër të një qeverie të huaj, kryejnë veprime serioze dhe ekstraterritoriale.

Shtatëdhjetë e gjashtë persona janë identifikuar si shënjestra kryesore. "Kush shënjestron disidentë të tillë, në emër të ndonjë qeverie të huaj, nuk duhet të lejohet të mbërrijë në tokën amerikane", tha Blinken.

Sipas raportit, Mohamed Bin Salman miratoi atentatin ndaj gazetarit: "Që nga viti 2017, Princi i Kurorës ka kontroll absolut të organizatave të sigurisë dhe inteligjencës së Mbretërisë, duke e bërë shumë të vështirë që zyrtarët sauditë të kenë kryer një operacion të kësaj natyre pa autorizimin e tij".

Gjithashtu sepse, nënvizon inteligjenca amerikane, Bin Salman, e konsideroi Khashoggin "një kërcënim për Mbretërinë dhe ka mbështetur gjerësisht përdorimin e masave të dhunshme, nëse është e nevojshme, për ta heshtur atë".

Më pas renditen 21 emra të sauditëve që kanë marrë pjesë në operacionin brutal, ndërsa specifikohet se nuk është e qartë nëse ata e dinin paraprakisht se operacioni do të finalizohej me vrasje dhe as sa kishin planifikuar ta dëmtonin gazetarin.

Raporti erdhi një ditë pas një telefonate midis Biden dhe Mbretit Salman, i përmbledhur si nga Shtëpia e Bardhë, ashtu edhe nga shtypi i Riadit, pa përmendur Khashoggin.

Një fakt ulëritës, së bashku me pretendimet e Bidenit në fushatën zgjedhore, kur ai tha se do ta bënte Arabinë Saudite "të pranonte" vrasjen.

Si president, ai tha se do të ruante marrëdhëniet e nevojshme për interesat e SHBA. Ndërkohë, Biden ka urdhëruar një ndalim të mbështetjes për fushatën e udhëhequr nga sauditët në Jemen dhe njoftoi përfundimin e shitjeve të armëve në mbretëri. Ndërkohë, eshtrat e Jamal Khashoggi ende nuk janë gjetur.

Rindërtimi i ngjarjes së tmerrshme të vrasjes së tij në konsullatën saudite, flet për një duzinë agjentësh sauditë që morën pjesë në tortura dhe vrasje dhe për trupin që u copëtua me sharrë.

Një regjistrim, kapi britmat e gazetarit dhe frazat e thëna nga të pranishmit. Princi i Kurorës Saudite në vitin 2019, mori "përgjegjësinë e plotë", pasi vrasja ndodhi nën kontrollin e tij, por mohoi ta kishte urdhëruar atë.

Megjithatë, autoritetet fajësuan një grup të agjentëve jashtë kontrollit dhe gjykatat saudite vitin e kaluar, raportuan se ata dënuan tetë shtetas sauditë me burg, ndërkohë që askush prej tyre nuk u identifikua. /e.a/noa.al/

Foto: Gazetari Khashogi (majtas) dhe Princi i Kurorës