Transmetuar më 26-02-2021, 21:18

Shqipëria prej disa ditësh ndodhet në një situatë kritike nga pandemia e Covid-19.

Gjatë 24 orëve të fundit janë bërë 3 mijë e 689 testime, prej të cilëve kanë rezultuar pozitivë 916 raste.

Sipas të dhënave zyrtare raportohet se 20 pacientë ndërruan jetë në spitalet Covid. Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 625 pacientë, 46 në terapi intensive, nga të cilët 12 pacientë janë të intubuar.

Përhapja e koronavirusit dhe humbjet e jetëve janë në nivele alarmante. Mjekët i bëjnë thirrje qeverisë të marrë masa urgjente duke mbyllur shkollat, lokalet dhe transportin publik.

Në vendet fqinje, të zhvilluara dhe vende anëtare të Be-së, si Italia dhe Greqia, ditët e fundit janë mbyllur edhe shkolla, ndërsa nuk kanë munguar edhe masat të reja shtrënguese.

Kërkesa e specialistëve nga spitalet shtetërore bëhet jashtë kamerës por kolegët e tyre në sistemin privat nuk ngurojnë ta thonë dhe publikisht.

Një mjeke në sistemin privat e cilëson të paprecedentë vendimin e Komitetit Teknik për të mos ndryshuar masat.

Kirurgia Lida Shosha thekson për A2 CNN nevojën për mbylljen e disa shërbimeve dhe fundjavat karantinë. Sipas saj spitalet janë tejmbushur ndërsa mjekët janë të lodhur dhe të mbingarkuar.

Për infeksionistin Arben Pilaca, politika nuk duhet të mendojë për zgjedhjet në prill por për jetën e qytetarëve në këtë periudhë të vështirë.

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mos ashpërsojë masat duke lënë në fuqi kufizimet ekzistuese, si në dy javët e fundit.

Ata i druhen frikës se kjo mund të çojë kjo në një situatë më të rënduar?

Deri tani kanë humbur jetën mbi 1700 qytetarë të moshave të ndryshme.

/a.m/NOA.al