Transmetuar më 24-02-2021, 17:15

Presidenti i Republikës, Ilir Meta kthen ligjin, që zgjat afatin e koncesionit të aeroportit "Nënë Tereza" me 13 vjet, duke vlerësuar se drafti i qeverisë që u kalua dhe në Parlamentin e kontrolluar tërësisht nga Rama është në shkelje flagrante të ligjit dhe të Kushtetutës.

Ligji i kthyer për rishqyrtim nga Presidenti, u miratua më 8 shkurt dhe zgjaste kontratën koncesionare të aeroportit të Rinasit nga viti 2027 në vitin 2040.

Meta tha se ky ligj i ri është antikushtetues, shkel interesin e publikut dhe është mbajtur i fshehtë nga sytë e qytetarëve.

“Kuvendi ka ratifikuar ndryshimin e marrëveshjes se koncesionit mes Këshillit të Ministrave dhe shoqërisë koncesionare “Tirana International Airport” për ndërtimin, vënien në punë të aeroportit “Nënë Tereza”. Ky ligj ka nivelin më të lartë të antikushtetutshmërisë, por dhe të korrupsionit. Korrupsioni legjislativ është kthyer në mjet mbulimi të përfitimeve klienteliste, ku për çdo përfitim të dhuruar miratojnë një ligj për ta miratuar.

Vendimmarrja e ndjekur nga Ministria e Financave, Infrastrukturës, Qeveria dhe Kuvendi për shtesën arbitrare të koncensionit është kryer në kundërshtim të rregullave të shtetit shqiptar dhe në dëm të interesit të qytetarëve. Kjo kontratë është mbajtur e fshehtë ndaj publikut. Akoma në faqen e Kuvendit nuk është publikuar kjo shtesë kontrate”, u shpreh presidenti.

Presidenti u shpreh se në kontratën e koncesionit parashikohet një pikë ku kompanisë i lejohet të marrë hua me kapitalet e aeroportit për realizimin e investimeve të zotuara. Kjo sipas Metës vë në rrezik vetë operimin e aeroportit.

Gjatë deklaratës së tij për shtyp Meta akuzoi qeverinë për abuzime korruptive dhe bëri thirrje që qytetarët të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e 25 prillit në mënyrë që të mos lejojnë që këto abuzime të vijojnë më tej.

Deklarata e plotë e z.Meta

Jam këtu sot, për t’ju njohur me disa me një çështje mjaft të rëndësishme dhe që ka lidhje me të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, Aeroportin “Nënë Tereza”, Tiranë. 

Kuvendi i Shqipërisë me Ligjin nr.16/2021, ka ratifikuar ndryshimin e marrëveshjes së koncesionit, ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Shoqërisë Koncesionare “Tirana International Airport” sh.p.k., “Për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Tiranë”, ratifikuar me ligjin nr. 9312, datë 11.11.2004, të ndryshuar”.

Ky ligj dhe marrëveshja shtesë koncesionare që ka miratuar, ka nivelin me të lartë të antikushtetutshmërisë dhe për të keq edhe të “korrupsionit legjislativ”, në qeveri dhe në Kuvendin njëpartiak.

Ky fenomen, pra “korrupsioni legjislativ”, është kthyer në mjetin e ri të mbulimit të përfitimeve klienteliste të fondeve dhe pasurisë publike, ku për çdo përfitim të dhuruar, miratojnë një ligj, për ta ligjëruar.

Shqyrtimi, vendimarrja dhe procedura e ndjekur nga Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë, për shtesën arbitrare të koncesionit të Aeroportit “Nënë Tereza”, është kryer në kundërshtim me të gjitha rregullat e shtetit shqiptar, në dëm të interesave të tij dhe të qytetarëve shqiptarë dhe për këto arsye, kjo Kontratë Shtesë Koncesionare është mbajtur e fshehur, larg syrit të publikut.

Në faqen zyrtare të Kuvendit, edhe sot, nuk është bërë publike ende kontrata shtesë e koncesionit, që është miratuar me ligjin nr. 16/2021, të datës 8 shkurt 2021.

Arsyeja është e shumë e thjeshtë, fshehja nga sytë e publikut të kësaj procedure krejtësisht antikushtetuese, skandaloze dhe antiligjore.

Unë do bëj publike disa elementë të kësaj marrëveshje, sepse çdo qytetar i këtij vendi, ka të drejta mbi aeroportin “Nënë Tereza”, si një pronë publike, e patjetërsueshme, si një aset kombëtar!

Sot do ju citoj vetëm disa nga shkeljet kryesore në shitjen e këtij aseti kombëtar, që nuk janë kopsitur dot, nga nxitimi për të bërë çdo gjë përpara 25 prillit 2021!

-Propozimi i këtij ligji është miratuar nga Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 34, datë 27 janar 2021.

-Ligji është depozituar po brenda ditës me urgjencë në Kuvend nga Qeveria po në datën 27 janar 2021.

-Dhe po në 27 janar, Konferenca e Kryetarëve në Kuvend është mbledhur mënjëhere dhe e ka futur në kalendarin e punimeve, po brenda ditës.

-Projektligji i përcjellë Kuvendit, në datën 27 Janar 2021, ka bashkëlidhur Marrëveshjen, që Qeveria dhe Koncesionari kanë hartuar dhe nënshkruar vetëm 1 DITË PARA, në datë 26.01.2021,Kamëz.

-Pra kësaj Qeverie, i është dashur vetëm 1 ditë, që ta shqyrtojë, që ta firmosë, dhe që t’ia propozojë Kuvendit për miratim, në kundërshtim me çdo rregull e procedurë.

-Kuvendi e ka shqyrtuar dhe miratuar propozimin në Komisionin e Ligjeve dhe të Ekonomisë në datën 4 shkurt 2021, dhe e ka miratuar në seancë plenare në datën 8 shkurt 2021.

-Është shumë e qartë se me çfarë urgjence ka vepruar Qeveria dhe Kuvendi në miratimin e kësaj kontrate, ndërkohë që Kuvendi ka në sirtarët e tij ligje me shumë rëndësi për shoqërinë dhe për qytetarët tanë, që presin prej vitesh dhe nuk marrin asnjë veprim për miratimin e tyre.

-Kjo marrëveshje e bërë me kaq nxitim, në thelb zgjat, pa asnjë lloj gare me 13 vjet afatin e koncesionit të Aeroportit të Rinasit (nga 22 vjet, në 35 vjet).

-Ndërkohë, që sot kanë ngelur edhe 6 vite për të përfunduar kontrata e parë e koncesionit dhe qeveria pa asnjë lloj konkurimi dhe pa transparencë i shton edhe 13 vite të tjera afat deri në vitin 2040.

-Procedura e ndjekur dhe zgjatja e afatit të kontratës koncesionare është bërë pa garë, pa pritur përfundimin e afatit të koncesionit, që të hapej një garë transparente, në shkelje të:

-parimeve kushtetuese të konkurencës së lirë, barazisë përpara ligjit, kërkesave të ligjit nr. 125/2013 “Për Konçesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, të ndryshuar,

-dhe në kundërshtim me vet kushtet e marrëveshjes bazë të koncesionit të lidhur në 2004, realizohet kjo kontratë shtesë që përmban trajtim preferencial, klientelist.

-Zgjatja e afatit të kontratës koncesionare është bërë brenda një kohe rekord duke dhunuar të gjitha procedurat kushtetuese dhe ligjore;

-Zgjatja e afatit të kontratës koncesionare nuk merr në analizë interesin publik, që përfshin si sigurinë kombëtare, sigurinë për ofrimin e një shërbimi të pandërprerë e të pacenuar aeroportual, ashtu si dhe interesin financiar të vendit;

-Zgjatja e afatit të kontratës koncesionare është bërë pa një analizë shteruese mbi seriozitetin dhe qëndrueshmërinë e besueshmërinë financiare të shoqërisë që ka blerë aksionet e infrastrukturës së vetme funksionale aeroportuale ndërkombëtare në vend;

-Zgjatja e afatit të kontratës koncesionare, është bërë pa u vlerësuar në mënyrë të thelluar pozita dominuese, që mund të krijojë subjekti përfitues, jo vetëm në shërbimin aeroportual përmes koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, por edhe në sektorë të tjerë, që lidhen me infrastrukturën strategjike të vendit.

-Por më absurdja është fakti që, dy qeveritarë, që përfaqësojnë Këshillin e Ministrave, zgjedhin ta hartojnë dhe ta nënshkruajnë marrëveshjen në Bashkinë Kamëz, para një noteri të licencuar për të ushtruar aktivitetin në këtë Bashki, duke anashkaluar zbatimin e parashikimeve të ligjit për noterinë.

-Me siguri, noterët e tjerë, në Bashkinë Tiranë, do kenë qenë të zënë, dhe një ministër dhe një zëvendësministër, nuk kanë përtuar të shkojnë deri në Bashkinë Kamëz.

-Marrëveshja është nënshkruar në datën 26.01.2021 dhe Këshilli i Ministrave e ka miratuar në datën 27.1.2021!

-Nisur nga ky nxitim, po pyes edhe një herë publikisht Ministren e Financave dhe Ministren e Infrastrukturës, që janë përpjekur të mosbashkëpunojnë në mënyrë transparente për të gjithë këtë procedurë

Të nderuara zonja ministre:

 –Kur e keni zhvilluar procesin e negocimit me kompaninë koncesionare ?

-Kur e keni dakordësuar draftin e marrëveshjes shtesë?

-Kur e keni konsultuar këtë draft të dakordësuar dhe me ministritë e linjës?

-Kur shkuat dhe e nënshkruat në Kamëz?

-Kur e përgatitët dosjen për ta përcjellë në Këshillin e Ministrave për shqyrtim?

-Arritët t`i bënit të gjitha këto brenda një dite?!

Të 2 ministret i janë shmangur detyrimit për t’i paraqitur Presidentit praktikën e plotë dokumentare, sepse e dinë, që çdo lloj mashtrimi që mund të rezultojë do bëhet publik!

Por fshehja, nuk shpëton dot askënd nga përgjegjësia ligjore sot dhe nesër!

Madje, ministrja Denaj, për të penguar Kreun e Shtetit në shqyrtimin e ligjit brenda afatit kushtetues, përcjell një shkresë justifikuese, që mban datën 15 shkurt, por që çuditërisht vjen në Presidencë në datën 23 shkurt.

Iu deshën 8 ditë Ministrisë së Financave ta sillte shkresën?!  Ndoshta ju është bërë zakon falsifikimi nëpër protokolle?

Në këtë praktikë të qeverisë ka dhe të tjera konstatime edhe më skandaloze:

-Miratimi i ndryshimit të kontratës së koncesionit është propozuar dhe miratuar sipas nenit 121, pika 1, të Kushtetutës dhe ligjit “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, si të ishte një marrëveshje ndërkombëtare.

-Kanë harruar, që shoqëria e re koncesionare, nuk ka asnjë element të huaj, janë themeluar në Shqipëri, nga ortakë me shtetësi shqiptare.

-Verifikova mos dikush nga ortakët kanë hequr dorë nga shtetësia dhe kanë marrë ndonjë shtetësi tjetër, por nuk më rezulton, deri më tani.

Ajo që po ndodh është se, afati 13 vjeçar, që zgjat të drejtat koncesionare, është në vetvete më shumë se gjysma e afatit të përgjithshëm të vet kontratës.

Ndërkohë, kontrata bazë e koncesionit është 22 vjet, gjë e cila është realizuar përmes konkurimit të hapur dhe negociatave, aktualisht po shtyhet me 13 vjet pa asnjë konkurrim, duke shkelur nenin 31, të ligjit për koncesionet. Ky është thelbi i gjithë shkeljes.

Shtimi i kohëzgjatjes së kontratës së koncesionit, për një afat kohor kaq të gjatë (13 vjet), përbën ndryshim të një kushti thelbësor të kontratës bazë. 

Kjo sipas ligjit për koncesionet, është e ndaluar në mënyrë kategorike dhe kërkon domosdoshmërisht fillimin e procedurave të reja të konkurrimit, gjë e cila do të duhej të bëhej në kohën e duhur.

Moszhvillimi i një procesi transparent, si dhe vendosja e gjithë procesit nën ombrellën proceduriale të shtesës së një kontrate koncesionare,

-shmang konkurrencën e lirë,

 –ka shkaktuar trajtim preferencial;

 –ka cenuar të drejtën e gjithë operatorëve të tjerë për të konkuruar për të operuar në këtë fushë shërbimeve; dhe

 –nuk garanton përfitime maksimale për financat e shtetit dhe interesin publik.

 Procedura e ndjekur për lidhjen e kësaj marrëveshje shtesë koncesionare, bie në kundërshtim me parashikimet e Kodit Zgjedhor dhe akteve të dala në zbatim të tij.

Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve, ndalohet dhënia e kontratave publike të koncensionit.

Në rastin konkret, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë, kanë shkelur në mënyrë flagrante parashikimet ligjore të miratuara në datën 23 korrik 2020, duke nënshkruar praktikisht një ndryshim të kontratës koncesionare, që jep koncesionin edhe për 13 vite të tjera.

Nxitimi para 25 prillit është shumë i qartë!

Sipas praktikës parlamentare zgjatja e afatit, është justifikuar me investime, që do të kapin vlerën deri në 99 milionë euro, dhe me fonde 100 për qind të shoqërisë koncesionare.

Shitja e kuotave të aksioneve nga aksioneri i huaj tek aksioneri shqiptar në Aeroportin Nënë Tereza është finalizuar në muajin dhjetor 2020, për shumën prej 70.1 milionë euro.

Pra, rezulton që për këtë aktivitet tregtar të dedikuar, sipas kontratës së koncesionit në momentin e blerjes së aksioneve kishin ngelur edhe 6 vite nga kontrata koncesionare për tu shfrytëzuar dhe që normalisht aksioneri shqiptar ka vlerësuar dhe është investuar për të blerë aksionet në shumën 70,1 milion Euro.

Në këto kushte, natyrshëm lind pyetja për të cilën duhet të ishte investuar Kuvendi për t’i dhënë përgjigje;

-A ka patur kontakte, negociata, apo shqyrtime mundësish për zgjatjen e afatit të kontratës së koncesionit edhe me 13 vite të tjera, para kryerjes së transaksionit me kuotat e shoqërisë “Tirana International Airport” sh.p.k?

-A është kryer ky investim prej 70.1 milion eurosh i shoqërisë përfituese me kapital shqiptar, me një plan investimi për 6 vite, apo kjo shoqëri ishte e sigurtë me garancinë paraprake të qeverisë se afati do të zgjatej edhe për 13 vite, për këtë koncesion?

I gjithë nxitimi krijon bindjen se, shoqëria përfituese, që ka blerë aksionet e “Tirana International Airport” sh.p.k, e ka patur paraprakisht të qartë/të sigurtë natyrën dhe kohëzgjatjen e investimit, që do të kryente, përpara se të ndërmerrte një investim për blerjen e këtyre aksioneve në vlerën 70,1 milion euro.

Një tjetër problematikë e marrëveshjes është fakti se kanë parashikuar një dispozitë, të fshehur mes rreshtave, dhe kanë dhënë autorizimin për shoqërinë,

-për marrjen e huave duke lënë kolateral aksionet e shoqërisë!

Këto parashikime në kontratë, përveç se paraqesin rrezik për operimin normal të aeroportit në rastin e paaftësisë paguese të shoqërisë koncesionare, nga ana tjetër tregojnë që investimi që është marrë përsipër, do të sigurohet përmes kontratave të kredive bankare, duke vendosur si kolateral asetet e aeroportit.

Të nderuar qytetarë,

Mungesa e transparencës për procedurat e ndjekura në këtë proces që lidhet me një aset me rëndësi kombëtare, është tepër shqetësuese.

Këto fakte dhe këto pohime, shoqëruar me veprimet që tentojnë të mos bëjnë transparencë mbi praktikën dokumentare që ka pasqyruar procesin e ndjekur, forcojnë dyshimet, mbi nënshkrimin e një kontrate ndryshuese koncesionare:

-në mënyrë klienteliste, preferenciale;

 –të dedikuar për t`u përfituar nga koncesionari i ri pa konkurencë të lirë dhe në shkelje të barazisë para ligjit; dhe

 –për një shoqëri, që duket qartë se ka patur të gjitha garancitë nga qeveria, se do t’i zgjatej afati i koncesionit, përpara se të blinte tërësisht aksionet e shoqërisë koncesionare “Tirana International Airport” sh.p.k.

Arsyetimi i plotë i Dekretit përmes të cilit Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin nr.16/2021, “Për miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së koncesionit, ndërmjet Këshillit të Ministrave rë Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë Koncesionare “Tirana International Airport” sh.p.k., “Për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Tiranë”, ratifikuar me ligjin nr. 9312, datë 11.11.2004, të ndryshuar”, do të publikohet në faqen zyrtare të institucionit.