Transmetuar më 24-02-2021, 07:36

Kampioni i golfit, Tiger Woods u shtrua në spital pas një aksidenti të rëndë me makinën e tij në Los Angeles County.

Automjeti me të cilin Woods po udhëtonte, u përmbys në kufirin midis Rolling Hills Estates dhe Ranchos Palos Verdes, ndërsa kampioni amerikan po shkonte në veri në Bulevardin Hawthorne, në Blackhorse Road.

Në mënyrë të papritur, Woods humbi kontrollin e makinës, e cila pasi pushtoi korsinë përballë, doli nga rruga dhe më pas u përmbys në fushat ngjitur.

Woods më pas u nxor nga mjeti nga zjarrfikësit dhe ndihmësmjekët, të cilët ndërhynë në vend dhe më pas u transportuan me ambulancë në spital.

"Tiger Woods pësoi aksident me makinë këtë mëngjes në Kaliforni, ku mori dëmtime të shumta në këmbë. Ai aktualisht është në operacion…," tha agjenti i tij, Daniel Rapaport, në një deklaratë.

Woods u dërgua në Qendrën Mjekësore Harbour-UCLA me fraktura në të paktën njërën nga këmbët, sipas njoftimeve. Ai është në gjendje të rëndë, thanë zyrtarët.

Shkalla e plotë e lëndimeve ende nuk dihet, megjithëse autoritetet thanë se ato nuk konsiderohen me rrezik për jetën.

Autoritetet nuk e kanë zbuluar shkakun e aksidentit, por ‘Los Angeles Times’, njoftoi se Woods po udhëtonte me një shpejtësi të madhe para se të humbte kontrollin e automjetit.

Makina e tij kaloi vijën ndarëse të rrugës dhe u rrokullis disa herë para se të ndalej rreth 30 metra larg rrugës.

Woods është nga Kalifornia Jugore dhe ka fituar 15 kampionate të rëndësishme golfi të turneut PGA.

Në vitin 2017, ai u arrestua, pasi policia e gjeti atë pa ndjenja në timonin e makinës së tij. Tiger kishte thënë se kishte marrë ilaçe me recetë para aksidentit dhe nuk e kishte kuptuar efektin që do të kishin mbi të. /e.a/noa.al/