Transmetuar më 23-02-2021, 13:13

Instituti i Shëndetit Publik ka dhënë të dielën vaksina për punonjësit shëndetësorë të spitaleve private në Shqipëri, raporton noa.al.

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi sot për noa.al se stafe të spitaleve jopublike po vaksinohen tek qendra e ngritur në stadiumin kombëtar ish Qemal Stafa në Tiranë.

Mësohet se janë vaksinuar mjekë dhe punonjës të tjerë shëndetësorë të spitaleve private që ushtrojnë aktivitetin në Tiranë.

Noa.al kërkoi nga MSH informacion për sasinë e vaksinave të dhëna për spitalet private dhe mësoi se vetëm të dielën u vaksinuar 100 personel shëndetësor, kryesisht të reparteve të reanimacionit.

Vaksinimi i stafeve të spitaleve private është një mundësi e mirë për të shmangur përhapjen e infeksionit Covid-19 në radhët e bluzave të bardha që trajtojnë të sëmurë që paraqiten pranë tyre.

Spitalet private në Shqipëri nuk u përfshinë në trajtimin pa pagesë të të prekurve me Covid-19 ndërkohë që të gjitha spitalet Covid i kanë ezauruar të gjitha kapacitetet duke bërë që pacientë me nevoja hospitalizimi të kërkojnë mundësi të tjera.

Noa.al mëson se spitalet private prej kohësh po trajtojnë të sëmurë me Covid-19 në kushte spitalore dhe shtëpiake.

Pagesa për mjekim spitalor arrin deri në 2500 euro nata. /noa.al