Transmetuar më 22-02-2021, 10:01

Presidenti Ilir Meta, i cilëson si referendum zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, që sipas tij do të përmbysin me votë plebishitare qeverinë.

Me tone të ashpra, në një postim në Facebook,  Meta thotë se qeveria është e tmerruar nga angazhimi politik i Presidentit në mbrojtje të Kushtetutës.

Kreu i shtetit është i sigurt se në 25 prill, demokracia do triumfojë mbi oligarkinë dhe qytetaria mbi marrëzinë.

Postimi i Metës

“Referendumi i 25 prillit do të përmbysë me votë plebishitare klikën oligarkike, që rrjep dhe mashtron shqiptarët prej kohësh. Tmerri i tyre është angazhimi publik i Presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës dhe votës së lirë. Ndaj me gënjeshtra të orkestruara nga kryeoligarku e të bëra publike në mediat e kapura prej tij, kujtojnë se do të frenojnë Presidentin të bëjë detyrën kushtetuese për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, që është fuqia dhe e ardhmja e tyre.

Kot lodhen me shpifje, shantazhe, frikësime, gjoba arbitrare, fabrikime sondazhesh të gënjeshtra për të demoralizuar qytetarët të votojnë apo me blerje “opozitarësh”, që kurrë nuk kanë mbrojtur interesin publik e kombëtar por që mendojnë vetëm për “përsheshin” e radhës.

Shqiptarët do të votojnë më 25 prill 2021 për lirinë e dinjitetin e tyre, si asnjëherë më parë në këto 30 vite.

Më 25 prill 2021, Demokracia do triumfojë mbi oligarkinë dhe qytetaria mbi marrëzinë. Presidenti ka vetëm një votë, si çdo qytetar i këtij vendi dhe do të votojë kundër oligarkisë, që ka nëpërkëmbur Kushtetutën, ligjet dhe të drejtat e njeriut dhe që po mban peng të ardhmen europiane të vendit”. /e.a/noa.al/