Transmetuar më 22-02-2021, 08:04

Udhëtoi rreth 15 kilometra në këmbë për të marrë dozën e parë të vaksinës Covid: nga Calitri, në Bisaccia, të dyja komunat në provincën e Avelinos në Itali.

Protagoniste e kësaj historie vendosmërie, është gjyshe Livia, 86 vjeçe. Gruaja e moshuar, e cila kishte një takim në orën 1 pasdite për të administruar dozën e ‘Pfizer’, doli nga shtëpia menjëherë pas orës 7.30 të mëngjesit dhe arriti në Bisaccia më shumë se katër orë më vonë.

Siç raportohet nga "Il Mattino", një i njohur që e ndihmon me punët e shtëpisë, iu ofrua për ta shoqëruar në qendrën mjekësore në Bisaccia, por ajo nuk donte të priste dhe nisi të ecë në këmbë.

Katër orë më vonë, gjyshe Livia arriti në destinacionin e saj, por në një institucion të gabuar shëndetësor.

Këtu, operatorët e ndihmuan: i përgatitën një sanduiç dhe i ofruan ujë, pastaj e shoqëruan për në qendrën mjekësore, ku iu dha vaksina. "Ne e pyetëm atë se si arriti në Bisaccia. Ajo konfirmoi se kishte ecur në këmbë dhe se ishte shoqëruar vetëm në fund", – tha një operator.

Për më tepër, falë ndërmjetësimit të policisë, stafi lajmëroi shërbimet sociale. Ata kontaktuan vullnetarët e Misericordia di Calitri që e kthyen gruan e moshuar në shtëpi pas vaksinimit.

"Ne e njohim zonjën dhe nuk është hera e parë që ajo ka ecur në rrugën që përshkon dy komunat. Ajo është një nga ato më të moshuarat që duket se ka, duhet thënë, një ‘marsh më shumë’. Ata janë mësuar me sakrifica dhe lodhje fizike. Për ta, pesëmbëdhjetë kilometra në këmbë, është një shëtitje për shëndetin", tha një zyrtar i Bisaccaia-s. /e.a/noa.al/