Transmetuar më 21-02-2021, 11:32

Kryeministri Edi Rama me t’u kthyer nga Elbasani, shkoi në stadiumin kombëtar ku ndoqi procesin e vaksinimit. Ai u pyet sot se kur do të vaksinohem mësuesit.

Kreu i qeverisë tha se gjithçka varet nga dozat që do të vijnë.

"Siç ka qenë thënë gjithmonë bazuar në dozat që kemi në dispozicion, rëndësi ka që me dozat që kemi do të përfundojmë vaksinimin e të gjithë mjekëve dhe infermierëve",- tha Rama.

Rama ishte më herët në Elbasan ku tha se gjatë mandatit të tretë do të mund të realizohet ajo që ai e quan “autonomi spitalore”.

Kjo autonomi do t’i japë mundësinë doktorëve të punojnë jashtë orarit, duke përdorur ambientet e spitaleve publike.

Rama tha se nuk do të ketë nevojë për klinika private, pasi mjekët mund të qëndrojnë dhe punojnë përtej orarit.

“Në katër vitet e mandatit të tretë e kemi të gjithë mundësinë të kalojmë spitalet në një sistem autonomie. Mos të ketë nevojë për klinika private, por në spitale të kenë mundësinë të kryejnë punë përtej orarit, përtej rrogës. Detajet e tjera mbeten për t’u diskutuar”, u shpreh Rama./a.m/NOA.al