Transmetuar më 21-02-2021, 09:51

Para pak çastesh në stadiumin kombëtar ka nisur edhe për ditën e sotme procesi i vaksinimit të atyre që kryeministri Edi Rama i ka quajtur personalitete.

Pas mjekëve dhe personelit shëndetësor është radha për vaksinimin e popullatës, fillimisht e atyre që janë mbi 80-vjeç dhe që konsiderohen personalitete.

Nga artistët, e para që ka hyrë për të bërë vaksinën, është aktorja Tinka Kurti.

Pas saj, nga emrat e njohur është parë të futet edhe këngëtari Sherif Merdani.

Kënë mbërritur po ashtu edhe Reshat Arbana dhe Pirro Milkani. Gjithashtu, kanë mbërritur në stadium për t’u vaksinuar sot edhe Roza dhe Dhimitër Anagnosti.

Po ashtu, pas saj vaksina i është injektuar edhe ish-kryeministrit, Aleksandër Meksi. Ka mbërritur më vonë edhe ish-Presidenti Aleksandër Moisiu.

Kanë mbërritur një e nga një aktorë dhe personalitete të tjera, mbi 80-vjeç, mes të cilëve edhe aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Elbasan ku përsëriti edhe një herë se ndër kategoritë e para që do të marrin vaksinën do të jenë ata të moshës mbi 80-vjeç, që konsiderohen personalitete, kjo si një farë detyrimi moral dhe respekti për gjithçka ata i kanë dhënë vendin ndër vite.  /a.m/NOA.al