Transmetuar më 20-02-2021, 21:23

Sonila Isaku

Nga viti në vit, po rritet frikshëm numri i personave të cilët humbin jetën në mënyrë tragjike, duke zgjedhur pikërisht vetëvrasjen si zgjidhjen e problemit pas marrjes së një vendimi të vështirë, ose situatave të rënda në të cilat ndodhen.

Ndërkaq, mjekët toksikologë, por edhe ata të urgjencave, ngrejnë alarmin se personat që po tentojnë të bëjnë një zgjedhje të tillë janë edhe më të shumtë. Teksa vetë vetëvrasja si e tillë është një çështje mjaft komplekse dhe prandaj përpjekjet për parandalimin e saj kërkojnë një koordinim dhe bashkëpunim ndërmjet shumë sektorëve të shoqërisë, përfshirë këtu sistemin shëndetësor, atë arsimor, të punësimit, të ligjit, etj.

Një problematikë e kthyer kjo në mjaft shqetësuese edhe për botën në tërësi, ndërsa siç referon vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë, janë mbi 800.000 njerëz që vetëvriten çdo vit, ose një person çdo 40 sekonda… Dhe deri në 25 herë më shumë, numërohen të jenë tentativat për vetëvrasje.  E thënë ndryshe, për çdo person që kryen një vetëvrasje, 25 apo më shumë tentojnë një gjë të tillë… Lidhur me një problematikë kaq të mprehtë, teksa numri i vetëvrasjeve në Shqipëri është në rritje dhe kjo e bën situatën serioze, veçanërisht lidhur me nevojën e forcimit të mekanizmave parandalues, Më poshtë përcjellim edhe mendimin e presidentes së Urdhrit të Psikologut, Dr. Valbona Treska… 

Vetëvrasjet, 660 persona humbën jetën në Shqipëri vetëm për 3 vjet

Plot 659 persona kanë kryer vetëvrasje, vetëm brenda tre viteve në Shqipëri. Ndërkohë që për këtë vit, ende nuk ka asnjë të dhënë zyrtare, edhe pse burime pranë urgjencës bëjnë të ditur se numri i personave që kanë tentuar vetëvrasjen është i konsiderueshëm. Kurse nga na e tyre, psikologët shprehen se një nga shkaqet kryesore që çojnë drejt vetëvrasjes, janë çrregullimet mendore, depresioni, stresi, si dhe konsumimi i alkoolit dhe drogave të ndryshme. Specialistët gjithashtu shtojnë se një nivel në rritje i tentativave për vetëvrasje vihet re tek adoleshentet, për shkak të ndikimit që kanë nga filmat.

Vetëvrasja dhe stigma

Vetëvrasja është një ngjarje e rëndë për familjet, shokët dhe komunitetin që preket. Ata mund të përjetojnë një rang të gjerë emocionesh, përfshirë dhimbjen, zemërimin, fajin, mosbesimin, vetëfajësimin etj. Shpesh, atyre u duket sikur nuk i ndajnë dot këto ndjenja me të tjerët. Kështu, të qëndruarit pranë një personi që ka humbur një të afërm, për shkak të vetëvrasjes, është po ashtu shumë e rëndësishme. Si rezultat i stigmës që shoqëron vetëvrasjen, ata që janë të prekur prej saj, përgjithësisht, perceptohen ndryshe nga ata që humbin një të afërm nga një tjetër shkak. Ata që kanë humbur të afërm si pasojë e vetëvrasjes, shpesh ndjejnë se të tjerët mund të mos e kuptojnë intensitetin e përgjigjes emocionale, si pasojë e kësaj vdekjeje. Përsëri, vlen të theksohet se një dëgjim jogjykues mund të bëjë ndoshta diferencën. T’i japësh një personi që ka humbur një person të dashur si pasojë e vetëvrasjes, mundësinë për të folur për ndjenjat e veta, për këtë humbje, mund të jetë ndihmë e madhe për të. T’u mundësosh atyre të shprehin ndjenjat, mund të jetë lehtësuese, por edhe i ndihmon të hedhin një hap nga dhimbja.

Shërbimet

Megjithëse mbështetja e miqve dhe të afërmve mund të jetë domethënëse për ata persona që janë në rrezik për vetëvrasje, si dhe ata që kanë humbur një të afërm në këtë mënyrë, mund të jetë efektive, jo gjithmonë është e mjaftueshme. Në shumicën e rasteve, nevojitet një ndihmë e specializuar. Kjo ndihmë mund të marrë forma të ndryshme. Në vendin tonë, kjo ndihmë lidhet me qendrat e shëndetit mendor, spitale (Klinika e Toksikologjisë dhe Adiktologjisë në Qendrën Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”, klinika private të specializuara në këtë drejtim, ose organizata që punojnë në këtë drejtim.

Parandalimi

Ka shumë organizata në botë, të cilat janë të përqendruara në përpjekjet për të parandaluar vetëvrasjen. Mund të shkëmbehen eksperiencat në mënyrë që të ofrohet një ndërhyrje efektive. Mendohet se mund të jetë shumë e suksesshme marrja e modeleve më të mira në këtë fushë, pasi mendohet se kjo gjë ndoshta mundëson reduktimin e numrit të personave që vdesin si pasojë e vetëvrasjes, si dhe të personave te të cilët këto vdekje kanë efekt shkatërrues.

Kush është më në rrezik?

Ndërsa lidhja ndërmjet vetëvrasjes dhe problemeve të shëndetit mendor (sidomos depresionit dhe çrregullimeve të përdorimit të alkoolit), është e njohur në vendet me të ardhura të larta, shumë vetëvrasje ndodhin papritur, në momente krize, kur individi ndjen vështirësi për t’u përballur me streset e jetës, si: problemet financiare, problemet në marrëdhëniet sentimentale, sëmundje ose dhimbje kronike. Po ashtu, përballja me konflikte, fatkeqësi natyrore, dhunë, abuzim, humbje ose izolim, është e lidhur ngushtë me sjelljen vetëvrasëse. Shifrat e vetëvrasjes janë të larta te grupet që përballen me diskriminim, si: refugjatët, emigrantët dhe migrantët; popullatat indigjene, individët gei, lesbike, transgjinorët dhe të burgosurit. Gjithsesi, faktori më i madh i rrezikut mbetet tentativa e mëparshme e vetëvrasjes.

Metodat e vetëvrasjes

Është vlerësuar se, afërsisht 30% e vetëvrasjeve në nivel global ndodhin si pasojë e helmimit, kryesisht me pesticide të cilat, më së shumti, ndodhin në zonat rurale dhe në vendet me të ardhura të ulëta ose mesatare. Mënyra të tjera të përhapura të kryerjes së vetëvrasjes, janë varja dhe armët e zjarrit. Njohja e mënyrave më të përdorura të vetëvrasjes, i ndihmon specialistët të hartojnë strategji efektive të parandalimit, si kufizimi i aksesit.

Parandalimi dhe kontrolli

Vetëvrasja është e parandalueshme. Ka disa masa që mund të ndërmerren, në nivel popullate të përgjithshme, subpopullate, si dhe në nivel individual, që synojnë parandalimin e vetëvrasjes dhe të tentativave vetëvrasëse. Këto përfshijnë: reduktimin e aksesit te mënyrat e mundshme të vetëvrasjes (pesticide, medikamenteve të caktuara, armë zjarri, etj); raportimin nga mediat në mënyrë të përshtatshme; ndikimin me anë të strategjive të alkoolit për reduktimin e përdorimit të dëmshëm të tij; identifikimin e hershëm, trajtimin dhe kujdesin për individët me probleme të shëndetit mendor, të përdorimit të substancave, dhimbjeve kronike dhe stresit akut; trajnimet për punonjës të sistemit shëndetësor të cilët nuk janë të specializuar, lidhur me vlerësimin dhe menaxhimin e sjelljes vetëvrasëse, si dhe kujdesin në vazhdim për individë, të cilët kanë tentuar vetëvrasje dhe mundësimi i mbështetjes nga komuniteti për ta.

Stigma, sidomos ajo që rrethon problemet e shëndetit mendor dhe vetëvrasjen, nënkupton se shumë njerëz që po mendojnë t’i japin fund jetës së tyre ose që kanë tentuar vetëvrasjen, nuk e kërkojnë ndihmën për të cilën kanë nevojë ose nuk e marrin, edhe nëse e kërkojnë. Parandalimi lidhur me vetëvrasjen mund të mos ketë qenë aq shumë efektiv për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit për vetëvrasjen, si një problem madhor i shëndetit publik, si dhe për tabunë që ekziston në shumë shoqëri për të folur hapur për të. Aktualisht, vetëm pak vende kanë përfshirë parandalimin e vetëvrasjes në strategjitë e tyre të shëndetit, dhe vetëm 28 vende në botë kanë strategji kombëtare të parandalimit të vetëvrasjes.

SHIFRA DHE FAKTE

Afërsisht 800.000 njerëz vdesin çdo vit, për shkak të vetëvrasjes. Çdo 40 sekonda në botë, vetëvritet një individ.

Numri i tentativave është shumë më i lartë.

Tentativa për vetëvrasje konsiderohet një faktor rreziku shumë i lartë.

Vetëvrasja përbën shkakun e dytë të vdekjes, ndërmjet individëve 15-29 vjeç dhe shkakun e tretë të vdekjeve, për individët 15-44 vjeç.

Në nivel global, 78% e vetëvrasjeve ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme.

Helmimi, varja dhe armët e zjarrit, janë ndër metodat më të përdorura të vetëvrasjes në nivel global.

Vetëvrasja është 4 herë më e lart te meshkujt. Tentativat vetëvrasëse janë 3 herë më të larta te femrat. Po ashtu, edhe mendimet suicidale (CDC). Te meshkujt mënyra më e zakonshme është ajo me armë zjarri, ndërsa te femrat helmimi.

Vihet re një rritje e shifrave të vetëvrasjes mbi moshën 50 vjeç, sidomos te meshkujt, individët që jetojnë vetëm, janë të ve ose të divorcuar.

Faktet dëshmojnë se ka shumë më shumë njerëz të cilët kanë tentuar vetëvrasje ose kanë qenë të afërt me dikë që ka tentuar një gjë të tillë. Dhe kjo hedh dritë mbi faktin se vetëvrasja është e parandalueshme.