Transmetuar më 20-02-2021, 20:17

Kryetarja e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi pohoi sot se ajo po bën fushatë vetëm në strukturat e Partisë Socialiste.

Zonja Kryemadhi theksoi se po lobon tek socialistët, pasi siç tha ajo, e kanë mbyllur punën me përkrahësit e LSI dhe votat që presin prej tyre.

"Takimet e mija janë vetëm me strukturat e Partisë Socialiste, për hir të së vërtetës sepse strukturat e LSI e kanë mbaruar të gjithë evidentimin e votave të pritshme", tha zonja Kryemadhi.

Në intervistën për News24, kryetarja e LSI theksoi se socialistët janë të sfrustruar sikurse ka konstatuar ajo dhe shtoi se ata janë përballur me mosmbajtje premtimesh nga qeveria e kryeministrit Edi Rama i cili sipas saj e ka shuar PS duke e zëvendësuar me Rilindjen e tij.

Duke folur për rezultatin e LSI në zgjedhjet e 25 prillit, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u shpreh se ai do të jetë një surprizë për mediat dhe opinionin publik duke shtuar se për vetë LSI rezultati nuk do të jetë surprizë por është i pritshëm.

‘Rezultatet e LSI-së janë rezultate që do të jenë surprizë për mediat dhe opinionin publik, por nuk do të jenë surprizë për LSI-në dhe socialistët.

Sepse ajo që dua të theksoj është që pavarësisht se imponohet dhe instrumentalizohen dhe paguhen jashtëzakonisht shumë televizione, apo edhe individë që për hir të pandemisë dhe krizës ekonomike e kanë shumë të vështirë që të ndryshojnë standardin e jetesës së familjeve të tyre, atëherë e shesin veten e tyre shumë lirë po themi, në rastin e prezantimeve të sondazheve të Edi Ramës për të çorientuar në njëfarë mënyrë opinionin publik.

Por në fakt ndodh e kundërta, sepse frika që njerëzit kanë prej Edi Ramës dhe menaxhimi që ai i bën situatave të krizave, që jo vetëm që nuk zgjidh kriza, por e rivendos krizë mbi krizën, i bën njerëzit që të shkojnë me vrap në qendrat e votimit dhe të votojnë kundër tij’. /noa.al