Transmetuar më 20-02-2021, 19:17

Emisioni “Shqipëria Live” trajtoi së fundmi intervista me shqiptarët që jetojnë në vendet e ndryshme të botës.

Nga Kenia ishte në lidhje të drejtpërdrejtë me moderatorin e njohur, Flori Gjini, Shpëtim Redo, i cili tha se edhe “në Hënë po të shkosh, do të gjesh shqiptar”.

“Jemi 11 familje që bashkë me fëmijët shkojnë rreth 41 persona. Nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut.

Kur ju përmend Shqipërinë njerëzve këtu, reagojnë Nënë Tereza.

Shumë prej tyre, hapin portofolin dhe tregojnë foton e saj.

Na bën shumë krenarë që ndajmë të njëjtin gjak me të. Në Afrikë bamirësia luan një rol shumë të rëndësishëm, edhe ne jemi bërë pjesë e tyre, duke qenë se e kemi në gen”, tha Redo.

Ky i fundit tha se shqiptarët janë të mirë integruar në Kenia dhe jo vetëm.

“Kam jetuar 23 vite në Austri, 9 këtu. Ne integrohemi shumë shpejt me shoqërinë e re, por jo të asimiluar. Ne e ruajmë mirë traditën”, tha ai.

Madje u shpreh se duke qenë se është rritur te gjyshja në fshat, tani e bën vetë gjizën dhe kosin.

“Nuk është kualiteti i atjeshëm, por nuk është keq. Mundohemi që të tregojmë ushqimet tona të mrekullueshme dhe kërcimet tona”, tha Redo i cili e mbylli intervistën me: “Zoti bekoftë shqiptarët dhe Shqipërinë”.