Frikë në Korçë, digjen lëndë kimike, rrezik helmimi për qytetarët
Transmetuar më 20-02-2021, 18:50

Një sasi lëndësh kimike në ish-Trikotazhin e Korçës kanë marrë zjarr dhe kanë shpërthyer mesditën e sotme në lagjen nr. 9.

Kështu këtë të shtunë në Korçë fabrika e ish-trikotazhit rrezikoi më shumë se 10 familje në lagjen nr. 9, pasi reaksioni i disa lëndëve toksike ka shkaktuar tym dhe erë mbytëse në zonë.

Euronews Albania raporton se janë të paktën 10 familje të rrezikuara nga helmet e mbetjeve toksike që çlirohet gjatë djegies.

Por problemi nuk prek vetëm ato familje. Për shkak të lagështisë, lëndët kimike kanë hyrë në reaksion me njëra-tjetrën në prani të temperaturave. Këto lëndë çlirojnë tym dhe gaz me përmbajtje kimike çka mund të helmojnë banorët.

“Ne kërkojmë nga instancat që të zgjidhet sa më parë, Korça nuk është vetëm Katedralja. Këtu nuk mund të marrësh dot frymë. Njerëzit e pallatit janë një rrezik. Të merren masa menjëherë. Kemi lajmëruar policinë dhe nuk po marrin asnjë masë. Këto janë kanceroze”, tha një banor i zonës.

Sipas banorëve kjo gjë nuk është hera e parë që ndodh, ndërsa reagimi për largimin e tyre deri më sot ka munguar. Ata kanë hedhur akuza ndaj autoriteteve se nuk po merren me këtë problem jetik  për ta.

Në zonë këtë pasdite shkuan edhe përfaqësues të prefekturës, por nuk dhanë asnjë informacion se çfarë do të bëhet me këto lëndë kimike.