Zgjedhjet, Komisionerja Europiane, apel partive: Kandidatët të jenë me integritet
Transmetuar më 20-02-2021, 13:26

Gjatë vizitës së saj në Tiranë, komisionerja e BE-së për Punët e Brendshme, Ylva Johansson është takuar sot me presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD, Lulzim Basha.

Gjatë një konference për shtyp me kryenegociatorin Zef Mazi, Komisionerja Europiane përgëzoi Shqipërinë për progresin e arritur, në veçanti vitin e fundit për çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe punët e brendshme, sigurinë dhe migracionin.

Ajo theksoi nevojën e një bashkëpunimi më të mirë policor dhe një zbulim të krimit në kufijtë tanë.

Para së gjithash, diplomatja u ndal dhe tek zgjedhjet e 25 prillit, teksa theksoi se partitë duhet të marrin përgjegjësitë për kandidatë me integritet.  Një thirrje e bërë vazhdimisht edhe nga ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim.

“Shqipëria po i afrohet zgjedhjeve dhe të gjitha partitë duhet të marrin përgjegjësitë që të kenë integritet të kandidatëve në lista. Ky ka qenë një takim vërtet shumë i mirë dhe jam këtu për t’iu uruar për këtë progres por sigurisht që akoma më shumë duhet bërë”, tha ajo.

Ndërsa kryenegociatori Zef Mazi, nënvizoi: "Diskutuam për integrimin dhe të gjithë gamën e çështjeve që përfshijnë problematikat e brendshme. Shqipëria është në prag të fillimit të negociatave të anëtarësimit dhe çështjet që diskutuam ka në ndikim në ecjen përpara. Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë rajonal dhe krijimit të tregut të përbashkët rajonal, jemi drejt nënshkrimit të një marrëveshje rajonale për qarkullimin vetëm me ID të qytetarëve nën të gjithë rajonin". /e.a/noa.al/