Transmetuar më 20-02-2021, 10:29

Gjatë bashkëbisedimit të tij ‘online’ me qytetarët në Fier, kryeministri Rama i është përgjigjur sot presidentit Ilir Meta, i cili një ditë më parë, e konsideroi vendimin për vaksinim të “personaliteteve të moshuara” një ndarje klasore me tipare diktatoriale.

Duke sqaruar tezën e tij, Rama shprehet se bëhet fjalë për personalitete mbi 80 vjeç, duke përmendur emra si Anesti Kondili, Tinka Kurti, apo Alfred Moisiu.

“Brenda marsit mbarojmë të gjithë vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve, mbarojmë brenda disa ditësh vaksinimin e të moshuarve. Të dielën fillojmë vaksinimin e moshës mbi 80 e lart, – tha ai. – Është bërë një zhurmë e madhe. Unë thashë do ta fillojmë vaksinimin me disa personalitete që i kanë dhënë shumë vendit tonë, dhe nuk duhet t’i kujtojmë vetëm kur marrim lajmin e hidhur që u ndanë nga jeta, por sot që kemi mundësinë të kujdesemi për ta. Flas për personalitete mbi 80 plus, nuk flas të marrim Bujar Nishanin hajde ta vaksinojmë. Një filozof që shfaqet me qëndrime të hatashme thoshte genocid! Presidenti thoshte ndarje klasore, diktaturë! Është diktaturë të vaksinosh Anesti Kondilin për shembull?! Që i ka dhënë jetën mjekësisë. Është ndarje klasore që të vaksinosh Alfred Moisun?! Vaksinimi i tyre është edhe një ndihmë, për të kaluar mesazhin se duhet të vaksinohemi se është gjëja e duhur kur ka sharlatanë që flasin për çipa”, tha Rama.