Transmetuar më 19-02-2021, 17:10

Deklarata e Albin Kurtit se do të votonte pro nëse do të mbahej një referendum për bashkimin Kosovë-Shqipëri, për ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko është një histori që duhet mbyllur dhe se tani prioritet për ‘Vetëvendosjen’ dhe liderin e saj është drejtimi i Kosovës.

Në një intervistë në Euronews Albania, Majko deklaroi se diskutime të tilla krijojnë probleme me aktet ndërkombëtare që garantojnë stabilitetin e Kosovës.

“Unë mendoj se z. Kurti ka vetëm një prioritet, të drejtojë si shtetar dhe kryeministër shtetin e Kosovës. Kosovës nuk besoj se i bëjnë punë histori të natyrave të tilla. Diskutime të tilla, do të krijonin probleme me aktet ndërkombëtare që garantojnë stabilitetin e Kosovës, e kam fjalën për akte që garantojnë prezencën e NATO-s në Kosovë dhe paketën Ahtisari.

Ndërkaq më e rëndësishme një kryeministër nuk mund të aludojë për statuse të ndryshme nga shteti që ai do të drejtojë sepse Kosova është duke u njohur nga shtete të tjera", deklaroi ish-kryeministri.

Pandeli Majko i bëri thirrje Albin Kurtit që duhet të fokusohet tek forcimi i shtetit të Kosovës dhe të mos nxisë hapjen e diskutimeve të tilla. /k.k/noa.al/