Transmetuar më 19-02-2021, 12:54

Presidenti Ilir Meta tha se do ta thërrasë edhe njëherë tjetër popullin nëse shikon se e drejta e tij po shkelet, ashtu siç ndodhi në 2 mars të vitit të shkuar, kur organizoi një manifestim me qytetarët në bulevardin kryesor të Tiranës.

Gjatë konferencës së sotme për shtyp, Presidenti i Republikës, i bëri thirrje policisë, që të mos keqpërdoret nga politika, pasi është në monitorim.

Po ashtu, kreu i shtetit foli me tone të ashpra, duke thënë se nuk do të mbajë përgjegjësi për fatin që do t’i përgatisë populli shqiptar në 25 prill atye që shkelin ligjin dhe Kushtetutën.

“Unë jam President i Republikës, jam ushtar i parë i Republikës, jam dhe student i dhjetorit ’90. Kam respekt për policët dhe policët e dinë që unë u kam dalë për zot kur janë sulmuar. Por ju bëj thirrje policëve të mos keqpërdoren nga politika, sepse janë në një monitorim, sepse nuk do të mbaj asnjë përgjegjësi për fatin që do u përgatisë populli shqiptar, sepse ata janë aty për t’i shërbyer popullit. Shqiptarët, nuk ka më njeri në botë që t’i kthejnë pas nga rruga e demokracisë”, – tha presidenti.

Meta bëri edhe një paralajmërim, kur tha se edhe njëherë do ta thërrasë popullin nëse kjo do të jetë e nevojshme si në 2 mars 2020.

“Duan të më procedojnë mua? Kur të duan. Por mos i procedoj unë ata me gjithë popullin shqiptar. Në 2 mars iu kurseva. Edhe njëherë do të thërras popullin, nëse do të duhet, por unë mendoj që e vetmja thirrje që duhet të bëj, është, ‘të gjithë në votime’. Fuqia e çdo shqiptari është vota dhe vota e çdo shqiptari nuk vlen as sa një dele dhe lopë, por është e ardhmja, sovraniteti, integriteti”, u shpreh Meta. /e.a/noa.al/

Lexo edhe:

Largimet nga LSI-ja, Meta: Rama merr llumin dhe e shpall si ajkën e PS!

Pandemia, Meta akuzon qeverinë: Vendi drejt një katastrofe kombëtare