Transmetuar më 19-02-2021, 10:58

Thuajse tre javë pas ekzekutimit mafioz të Shkëlzen Kastratit në Fier, policia ka zbardhur të dokumentuar dhe me prova ngjarjen që ndodhi më datë 1 shkurt 2021.

Katër persona janë identifikuar si autorë të dyshuar të vrasjes së 33-vjeçarit, ndërkohë që janë sekuestruar edhe dy automjetet që kanë përdorur autorët për t’u larguar nga vendngjarja.

Në kërkim, janë shpallur Albert Zaja 37-vjeç dhe Elmir Tufa, 29 vjeç, të dy banues Fushë Krujë, Elson Xhecuka, 27 vjeç, banues në Kamzë dhe Silvio alias Roland Cara, 39 vjeç, banues në Tiranë.

Vrasja dhe e dyshimet e policisë

Shkëlzen Kastrati u ekzekutua me dy plumba, njëri prej tyre në kokë, paraditen e së hënës së 1 shkurtit, në fshatin Sheq në Fier brenda makinës së tij.

Ai ka qenë në lëvizje me makinë dhe është qëlluar nga një person nga një mjet tip ‘Range Rover’. Kastrati ka ecur disa metra, duke u përplasur me një makinë tjetër që po kalonte aty.

Shkëlzen Kastrati u ekzekutua kohën kur po shkonte në lokalin e tij në Sheq, lëvizje që e kryente çdo ditë.

Makina e autorëve të dyshuar u gjet e djegur tek mbikalimi i Baltëzës, brenda së cilës edhe automatiku.

Të gjitha hetimet janë përqendruar tek hakmarrja, për shkak të së kaluarës së tij dhe të vëllait.  Pesë vite më parë, është tentuar të vritet në atentat Klemend Kastrati, vëllai i Shkëlzenit.

Nga ajo ngjarje, humbi jetën Denis Kasaj nga Vlora, kurse Klemendi u plagos. Eliminimi i tij u bë për hakmarrje, pasi nga hetimet e kryera në atë kohë, ka rezultuar se Klemend Kastrati ishte i implikuar në një plagosje të vitit 2008, për shkak të një konflikti, por ai u dyshua dhe për një vrasje të ndodhur në vitin 2012.

Njoftimi i policisë

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 4 autorët e dyshuar të ngjarjes kriminale.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dy automjetet që kanë përdorur autorët për t’u larguar nga vendngjarja.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Fier, në koordinimin nga Departamenti i Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, si rezultat i provave të grumbulluara gjatë hetimeve, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve.

Mbi bazën e provave të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Fier, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur në mungesë masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, për shtetasit:

A. Z., 37 vjeç dhe E. T., 29 vjeç, të dy banues Fushë Krujë;

E. Xh., 27 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë;

S. alias R. C., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, në zbatim të vendimit të Gjykatës, nga ana e Policisë është ushtruar kontroll në banesat e këtyre shtetaseve. Në përfundim të veprimeve është bërë shpallja e tyre në kërkim kombëtar dhe vijon puna edhe për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.

Gjatë veprimeve hetimore, strukturat e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy automjetet që janë përdorur nga autorët për të kryer vrasjen dhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Vijon puna për lokalizimin e tyre dhe po bashkëpunohet me homologët, pasi dyshohet se mund të jenë larguar drejt një vendi të BE-së.

Gjithashtu, nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore nga strukturat e Policisë, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje kriminale". /e.a/noa.al/