Transmetuar më 19-02-2021, 09:04

“Në gjaknxehtësi e sipër kam marrë makinën dhe e kam goditur. Nuk desha të kryej këtë krim, por gjithçka ishte e momentit”.

Kjo ka qenë dëshmia e 60-vjeçarit Mhill Gega dhënë para hetuesve, i cili mesditën e të mërkurës përplasi për vdekje me automjetin e tij 68-vjeçarin Mark Deda, ish-kolegun e tij të punës, ngjarje e ndodhur në fshatin Bungaj të Mirditës. Ndaj autorit është ngritur akuza e vrasjes më dashje, shkruan ‘Ora news’.

Ai po mbahet në dhomat e paraburburgimit të Komisaritit të Policisë Lezhë në pritje për t’u njohur me masën e sigurisë, seancë e cila do të zhvillohet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Sipas burimeve, autori dhe viktima kishin patur konflikte të vazhdueshme me njëri- tjetrin prej më shumë se 1 viti dhe për këtë ka qenë në dijeni edhe policia.

Madje pak kohë më parë, Mark Deda bashkë me djalin e tij e kishin rrahur autorin e ngjarjes në banesën e tij dhe pas kësaj situate, konflikti mes tyre kishte rënduar edhe më tej.

Trupi i viktimës u gjet në rrugën e fshatit Bungaj nga banorë të zonës, të cilët njoftuan menjëherë policinë në lidhje me ngjarjen.

Nga hetimet, rezulton se autori e ka goditur nga pas me makinë 68-vjeçarin dhe është larguar, për t’u ndaluar nga policia pak orë pas ngjarjes.

Fillimisht u dyshua për një aksident rrugor, por më pas u faktua se ngjarja kishte qenë e qëllimshme, duke parë konfliktet e hershme mes autorit dhe viktimës. Mësohet se viktima dhe autori kanë punuar më herët në të njëjtin vend pune./e.a/noa.al/

Foto ilustruese