Transmetuar më 19-02-2021, 08:29

Zgjerohet rrethi i personave të arrestuar në lidhje me ekzekutimin para banesës të shqiptarit Armando Beqiri në Islandë të shtunën e shkuar.

Sipas mediave lokale, dje janë arrestuar dy gra, duke e çuar në 10 në total numrin e personave të prangosur.

Të ndaluarit janë me origjinë nga Shqipëria, Lituania, Spanja dhe Islanda. Dy të arrestuarve të fundit, iu janë sekuestruar edhe disa sende në banesë, që mund të jenë të vlefshme për hetimet.

Policia dyshon se mes të arresuarve është edhe një nga bosët e botës së krimit dhe drogës në vendin ishullor.

Mediat lokale, raportojnë se djali me origjinë nga Tepelena, dyshohet se është i përfshirë në aktivitet kriminal dhe një nga pistat e vrasjes së tij është për larje hesapesh.

Margeir Sveinsson, shefi i policisë në departamentin qendror të hetimit të policisë në Rejkjavik, tha se “hetimet për vrasjen përfshijnë shumë persona. Rasti ka shkaktuar një shqetësim të madh në Islandë”, – shkruajnë mediat.

Armando Beqiri u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në hyrje të shtëpisë. Ai ishte një nga pronarët e një kompanie sigurie private, ndërsa la pas gruan shtatzënë dhe një fëmijë të mitur.

Beqiri është ekzekutuar me pistoletë silenciator rreth orës 23:57, sapo ishe kthyer në shtëpi dhe kishte parkuar makinën e tij.

Autori, i cili po e priste, e ka qëlluar me më shumë se 5 plumba, pas shpine, në qafë dhe kokë, duke bërë që 33-vjeçari të ndërronte jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. /e.a/noa.al/

Lexo edhe:

Vrasja e shqiptarit në Islandë, mes të arrestuarve edhe ‘bosi i drogës’ (Foto)

Vrasja që tronditi Islandën, kush është shqiptari i ekzekutuar para banesës (Emri-Foto)

Ekzekutohet me armë zjarri shqiptari në Islandë, la pas gruan shtatzënë dhe një fëmijë të mitur