Transmetuar më 18-02-2021, 17:18

Janë shtuar rastet e fëmijëve të cilët kanë nevojë për hospitalizim, por edhe atyre në terapi intensive, pas rasteve në rritje me Covid.

Alarmi është dhënë edhe më herët, teksa të rinjtë dhe fëmijë popreken nga koronavirusi.

Nuk ka ende zyrtarisht të dhëna nëse varianti britanik ka prekur vendin tonë.

Shefja e shërbimit të Pediatrisë së Përgjithshme Numila Kuneshka, sqaron mënyrën se si bëhet shtrimi i fëmijëve të cilët paraqiten në urgjencë me simptomat e COVID-19.

“Fëmijët të cilët paraqiten në Urgjencën e Pediatrisë dhe që kanë indikacione të shtrohen në spital do të kalojnë në triazhin për Covid, pra pavioni i Pediatrisë së Përgjithshme është kthyer në pavion trizh Covid. Këta fëmijë me temperaturë marrin tamponin, qoftë atë të shpejtë qoftë atë të PCR. Deri në ardhjen e përgjigjes, këta fëmijë qëndrojnë të shtruar në pavionin e Pediatrisë së Përgjithshme”, tha mjekja për Abc.

Që nga nisja e pandemisë, rreth 2000 fëmijë janë infektuar nga koronavirusi, ndërsa 1 foshnje 14 muajshe ka humbur jetën.

Muaji janar ka pasur numrin më të lartë të infektimeve pediatrike, ku janë shënuar deri tani sipas mjekëve plot 700 raste.

Muaji shkurt mund të konsiderohet një ndër më të vështirët për vendin tonë, që nga nisja e pandemisë.

(Foto: Mjekja Numila Kuneshka, Google)