Transmetuar më 18-02-2021, 15:56

Ish-deputeti i PD-së dhe ish-Ambasadori i Shqipërisë në Athinë, Vili Minarolli, ka kërkuar ndihmën e miqve në rrjetet sociale, pas vendimit për procedim penal ndaj dy mbesave të tij, të cilave, si të mos mjaftojë dhimbja nga humbja e të atit, ndërsa kanë edhe të ëmën të sëmurë, janë duke u proceduar penalisht për përhapje të informacionit të rremë.

Hetim për mbesat nisi pasi ato denoncuan mjeken e Infektivit.

“Të  dashur miq të  fb dhe me tej, u informova se mjekja e infektivit që përmendet me emër nga dy mbesat e mija ka hapur një çështje penale?!! ndaj tyre. E drejta e saj””, tha Vili Minarolli, teksa shtoi se “po ju drejtohem edhe juve të  jepni gjykimin tuaj.”

“Mendoni sikur secili prej jush të ndodhej në atë situate kur babai i tyre, idhulli i tyre në çastet e fundit të jetës u  kërkonte ta nxirrnin nga ai vend ku e kishin lënë të braktisur  dhe nuk e prekte njeri me dorë dhe në komunikim me mjeken ajo u thoshte se po i bënin skaner dhe të gjitha  kërkimet. Pas disa çastet babai i tyre ndërroi jetë”.

“Tani gjykoni dhe ju, kë duhet të besonin vajzat, babanë apo mjeken? Njeri nuk thoshte të vërtetën dhe në këtë rast ai/ajo quhet gënjeshtar. Ka emër tjetër?”

“Pastaj mendoni gjendjen psikologjike të  tyre në atë moment!”

“Tani atyre u duhet të përballen edhe me një procedim gjyqësor kur kanë edhe te ëmën me infeksion në shtëpi”.

“Nuk i shkruajta këto radhe për të ndikuar tek drejtësia. Ajo të bëjë detyrën e saj, por si duket në vendin tonë humanizmi dhe njerëzorja po i humbet vlerat”.

“Asnjë mos e përjetoftë ( edhe hasmi) atë që përjetuan dhe vazhdojnë të përjetojnë mbesat e mija”, shkroi ndër të tjera ish-deputeti demokrat Vili Minarolli.

/a.m/NOA.al