Transmetuar më 18-02-2021, 12:35

Policia në Islandë ka vënë në pranga 7 persona si të dyshuar për vrasjen e shqiptarit, Armando Beqiri në Rejkjavik, ngjarje e ndodhur pak para mesnatës së të shtunës që shkoi.

Mediat e huaja, raportojnë se një prej të arrestuarve, është Anton Kristinn, i cili raportohet se ka qenë aktiv në botën e drogës për vite me radhë.

Të arrestuarit e tjerë, që janë të huaj, kanë punuar për Anton Kristinn, i cili raportohet se ishte në një pozicion të vështirë, pasi akuzohet se kishte qenë informator policie për vite me radhë. Të huajt, thuhet se janë sjellë në Islandë për të mbrojtur Antonin.

Beqiri është ekzekutuar me pistoletë silenciator të shtunën në derë të shtëpisë, rreth orës 23:57, sapo ishe kthyer në shtëpi dhe kishte parkuar makinën e tij.

Autori, i cili po e priste, e ka qëlluar me më shumë se 5 plumba, pas shpine, në qafë dhe kokë, duke bërë që 33-vjeçari të ndërronte jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.

Mediat lokale raportojnë se djali me origjinë nga Tepelena, dyshohet se është i përfshirë në aktivitet kriminal dhe një nga pistat e vrasjes së tij është për larje hesapesh.

I ndjeri shkoi në Islandë në dhjetor të vitit 2014 dhe pasi mësoi gjuhën, u njoh me një femër dhe u martua, me të cilën pati një fëmijë dhe priste një të dytë.

Ai kishte marrë nënshtetësinë islandeze dhe kishte hapur një biznes atje. Beqiri ishte gjithashtu një mbështetës i fortë i ekipit kombëtar islandez.

Lajmi i ekzekutimit të 40-vjeçarit shqiptar, ka shkaktuar reagime të mëdha në një shtet të qetë si Islanda. Shtypi vendas e ka pasqyruar gjerësisht ngjarjen e rëndë, teksa hetuesit po përpiqen të kuptojnë arsyet e saj.

Artikujt e shumtë tregojnë se si Armando Beqiri kishte mbërritur nga Greqia dhe kishte sakrifikuar mjaft, duke arritur në fund të ambientohej më së miri në vendin ishullor.

Ai kishte mësuar gjuhën e vështirë islandeze dhe ishte bashkëpronar i një biznesi, një kompani sigurie fizike, që po njihte mjaft sukses. /e.a/noa.al/

Lexo edhe:

Vrasja që tronditi Islandën, kush është shqiptari i ekzekutuar para banesës (Emri-Foto)

Ekzekutohet me armë zjarri shqiptari në Islandë, la pas gruan shtatzënë dhe një fëmijë të mitur