Transmetuar më 16-02-2021, 20:59

Komisionerja e Punëve të Brendshme të BE-së, Ylva Johansson do të vizitojë këtë javë Bosnjë-Hercegovinën dhe Shqipërinë.

Ajo vizitën e nis të enjten në Bosnje, më 18 Shkurt dhe e mbyll të dielën në Tiranë, ku do të diskutojë bashkëpunimin me të dy vendet për çështjet e migracionit dhe sistemet e menaxhimit të migracionit.

Bosnja dhe Hercegovina është shtëpia e rreth 8,000 migrantëve dhe refugjatëve, me 6,000 të cilët jetojnë brenda objekteve të financuara nga BE, në kantonet e Sarajevës dhe Una Sana.

Dhjetorin e kaluar, BE-ja mbështeti krijimin e një strehe të përkohshme në Lipa, si dhe sigurimin për migrantët të veshjeve, batanijeve, ushqimit dhe ndihmës mjekësore.

Por edhe Shqipëria konsiderohet një vend problematik, transit i migrantëve të paligjshëm nga Lindja e Mesme, por ka një problem edhe të vetë qytetarëve të saj mbi emigracionin e paligjshëm në vendet e BE-së.

Të Shtunën, në Shqipëri, “NOA.al” mëson se ajo do të takojë Presidentin e Republikës, Ilir Meta; kryeministrin, Edi Rama; Ministri i Brendshëm, Bledi Cuçi; liderin e opozitës, Lulzim Basha.

Komisionerja do të shohë nga afër pikën kufitare të Kakavijës, ku do të vizitojë operacionin e përbashkët të kontrollit kufitar Frontex.

Ajo do të vizitojë një projekt të financuar nga BE që siguron pajisje mbrojtëse Covid-19 për migrantët. /a.m/NOA.al