Transmetuar më 16-02-2021, 17:54

Dogana në Kakavijë do mbyllet për 24 orë, dhe shkak për këtë është bërë një grevë e paralajmëruar nga pala greke.

Konkretisht, Dogana do të jetë e mbyllur në harkun kohor prej 24 orësh, duke filluar nga dita e nesërme, datë 17 shkurt, ora lokale greke 07:00 deri në orën 07:00 të datës 18 shkurt.

Policia greke ka njoftuar Policinë Kufitare të Kakavijë, duke sqaruar se për shkak të grevës që do të zhvillohet nga punonjësit e doganës greke, do të ketë një ndërprerje të punës.

Sipas njoftimit, gjatë këtij harku kohor, si në hyrje dhe në dalje të doganës greke, nuk do të lejohet kalimi i automjeteve si motoçikleta, autovetura, furgonë që transportojnë qytetarë dhe kamionët që transportojnë mallra.

Përjashtim do të ketë vetëm për udhëtarët këmbësorë, kamionët që transportojnë mallra ushqimore që ruhen në kushte frigoriferike, kamionët që transportojnë kafshët e gjalla, medikamente dhe automjetet për raste emergjente. /k.k/noa.al/