Humb jetën në Spitalin Infektiv, vajza akuzon mjekët: O Zot, si e sollëm këtu!
Transmetuar më 16-02-2021, 13:34

Të afërmit e një pacienti që humbi jetën nga Covid 19 më 15 shkurt në Tiranë, akuzojnë mjekët e Spitalit Infektiv për mosdhënien e mjekimit dhe për keqinformim të familjes.

Rifat Lalo Minarolli, ndërroi jetë 3 ditë pas shtrimit në këtë spital, ndërkohë që vajza e tij, Edita, bën përgjegjës stafin mjekësor, duke thënë se ata kanë gënjyer dhe nuk i kanë dhënë pacientit trajtimin e duhur.

Pas ankesave të 75-vjeçarit në telefon, vajza e tij thotë se kërkoi ta transferonte jashtë në Bruksel, për mjekim, por spitali Infektiv i Tiranës u nxori pengesa dhe nuk u dha dosjen.

Pas humbjes së babait, vajza e tij dhe anëtarët e familjes kanë kërkuar sendet personale dhe dosjen mjekësore, ndërsa thonë se do të kërkojnë zbardhjen e të vërtetës për ngjarjen.

“Nuk kishte asgjë, e sollëm këtu. Çfarë na thoshte babai që s’i kishin bërë. Ne patëm mendimin, sikur na e hodhën. Është e rëndë të ikë babai me këtë peng. Themi o Zot, si e sollëm me duart tona. Këta na thanë që i bënë skaner dhe ne, nga një burim i brendshëm na thanë që nuk i kishin bërë skaner se po ta lëviznin i ikte oksigjeni. Çfarë duhet të besojmë ne? Kemi shumë pikëpyetje. Ishte rasti i dytë dje nga Shqipëria, ku nga spitali i Brukselit thoshin që donim të transferonim pacientë dhe spitalet shqiptare, nuk e di kë, nuk i jepnin dosjet që personi të transferohej jashtë shtetit, – tregon vajza e viktimës. – Dy doktoresha nga Brukseli u përpoqën dhe doktereshë Mirela Qato ua mbylli telefonin, se ishte e zënë me pacientë të tjerë. Kërkoj dosjen e babait tim, dua të shoh skanerin dhe atë që thoshte ajo se të dy mushkëritë i kishte copë-copë. Dua t’i shoh. Jam duke pritur për sendet dhe dosjen mjekësore, kam të drejtën time”.

Në spitalet Covid aktualisht po trajtohen 547 pacientë nga të cilët 23 në terapi intensive dhe 11 të intubuar.

Rritja e numrit të infektimeve javët e fundit ka shtuar ndjeshëm fluksin në spitalet Covid duke rritur edhe ngarkesën e punës për personelin mjekësor. /Ora news/