Transmetuar më 16-02-2021, 11:32

Është pritur me protesta sot në Shkodër kryeministri Edi Rama, ku qytetarë nga zonat e përmbytura nga reshjet e shiut javët e fundit, dolën në rrugë, në hyrje të Shkodrës.

Mesazhet zgjodhën  si fillim t’i shprehnin me shkrim përmes pankartave të shumta, të cilat i kishin vendosur në një varkë, mjeti i lundrimit që i ka shoqëruar për rreth 2  muaj pas përmbytjeve të shtëpive dhe tokave.

Një prej qytetarëve tha se ka një varrezë makinash dhe se të gjitha janë nën ujë, por sipas tij, shteti nuk po i përgjigjet për dëmin e shkaktuar.

“Unë kam një varrezë makinash në Bërdicë. Makinat e mia në ujë. Shtetit të mi paguajë një për një. Unë të gjitha detyrimet shtetit ja paguaj. Pse nuk vjen shteti me i pa. Janë miliona lekë për tokë. Shteti pse nuk më përgjigjet mua”, shprehet ai.

Qytetarët shkodranë, nuk ia kanë kursyer ironinë kryeministrit shqiptar.

“Jemi mbledhur për të pritur Skënderbeun e tretë, se dyshi është Spiropali, i cili na viziton me na sjellë ca ndihma të përmbyturve. Ka kaluar 40 ditë që ne si njësi dhe njësi të tjera janë të përmbytura. Në Berdicë, janë 350 hektarë të përmbytura dhe nuk kemi parë asnjë ndihmë nga shteti që drejtohet nga një legjendë. Populli i këtij vendi po shkon drejt regresit, nuk ka mirëqënie. Ne si banorë shprehim indinjatën, shteti të mos shëtitë me makina, por të ulet me këmbë në tokë dhe të na shohë shtëpi më shtëpi. Vetëm me çizme të gjata mund të kalosh atje”, tha një banor nga Bërdica e Mesme, njësia administrative Berdicë.

Kryeministri Rama dhe ministrja Manastirliu, ndodhen sot në Shkodër për nisjen e fushatën së vaksinimit anti-Covid në kryeqendrën e veriut. /e.a/noa.al/