Transmetuar më 16-02-2021, 09:21

Edhe pse bora nuk vazhdon të bjerë në pjesën më të madhe të vendit, ngricat dhe akulli janë kthyer një problematikë më vete në vendin tonë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, ka dhënë informacion në lidhje me gjendjen e krijuar si pasojë e reshjeve të borës dhe ngricave të ditëve të fundit.

Në raportin e fundit të publikuar në Facebook nga ARRSH, rezulton se  disa akse rrugore në rajonin verior dhe qëndror të vendit vijojnë të jenë problematike dhe lëvizja bëhet vetëm me zinxhirë.

Ndër të tjera, u bëhet apel të gjithë drejtuesve të automjeteve që të bëjnë kujdes dhe të përdorin zinxhirë dhe goma dimërore në zonat me rrezikshmëri të lartë.

Njoftimi i plotë

Në të gjithë territorin reshjet kanë pushuar, temperaturat vazhdojnë të jenë të ulëta.

Kontraktorët gjatë natës kanë bërë pastrimin e akseve dhe shpërndarjen e kripës.

Të gjithë drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimri ose zinxhirë, të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

Rajoni verior

Qarkullohet pjesërisht me zinxhirë:

Trebisht–Doganë, Ura e Cerenecit–Klenjë, Trebisht-Doganë, Peshkopi-Qafë Drajë, Qafë Bualli-Krastë.

Rajoni qendror

Qafë Thanë-Doganë tek Useku qarkullimi me një korsi, po punohet për pastrimin e plotë.

Qarkullohet me zinxhirë ose goma dimri: Lunik-Steblevë, në km e fundit Steblevë-Klenjë, Zemblak -Goricë.

Rajoni jugor

Akset janë të hapura pa prezencë bore, por kushtëzuar nga temperaturat e ulëta, mjetet të pajisen me goma dimri. Vazhdon puna për mitëmbajtjen rutinë. /e.a/noa.al/