Transmetuar më 15-02-2021, 13:01

Çështja e arrestimit të mjekut të njohur të QSUT-së, Edvin Prifti, ka tërhequr edhe vëmendjen e Kuvendit të Shqipërisë.

Në seancën e sotme plenare, deputeti i opozitës parlamentare, Ralf Gjoni, i ka dalë në krah kardiologut të akuzuar për korrupsion nga GJKKO, të cilit iu gjetën në banesë dhe zyrë shuma prej 250 mijë euro dhe 160 milionë lekë.

Gjoni është shprehur se nuk është turp që kardiologu më i mirë i Shqipërisë të zotërojë mbi 200 mijë euro.

Ai ka aluduar edhe për një marrëveshje Rama-Basha, që do t’i japë mandain e tretë kryeministrit aktual.

"Ju masakruat Kodin Zgjedhor për të mbajtur në krye të PD Luli Bashën dhe në kthim, dhurata e Bashës është mandati i tretë për Edi Ramën. Kjo ishte marrja vesh e aktorëve kryesorë të establishmentit. Dy gjëra duheshin në Shqipëri: hapja e listës dhe numërimi i votës nga një administratë e papolitizuar. Ne po vëmë kryqin te ato kutitë me fabula imagjinare. Ne sot sulmojmë Edvin Priftin, por kjo shoqëri sovjetike, përballet me një rast të kardiologut më të mirë për ta sulmuar atë, për ta çnderuar publikisht, pa menduar se Shqipëria po humbet një nga kardiologët më të mirë, vetëm që Edvini tjetër të vjedhë. Pse kaq turp është që një kardiolog të ketë mbi 200 mijë euro? Po për 450 milionë eurot e Rrugës së Kombit, çfarë është bërë", tha Gjoni.

GJKKO, vendosi masën e sigurisë "arrest me burg" të shtunën për mjekun e njohur, pasi më herët, prokuroria ngriti akuzën e pastrimit të parave dhe kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, ‘pezullim detyre’.

Hetimet ndaj Edvin Priftit, nisën bazuar në përgjimet e sekretares së Gjykatës së Krujës, në lidhje me dyshimet e forta të lirimit në mënyrë të paligjshme të disa të dënuarve nga burgu, por që kanë zbuluar për Prokurorinë e Posaçme, edhe korrupsionin në shëndetësi. /e.a/noa.al/