Transmetuar më 15-02-2021, 07:05

Një vogëlush ka ndërruar jetë këtë të diel, pak javë pasi triumfoi ndaj një sëmundjeje shumë të rëndë, por infektimi nga Covid-19 i shkaktoi vdekjen.

Pasi u dërgua në Zvicër ku të voglit i dhanë veç një muaj jetë dhe pas një ndërhyrjeje në Stamboll ku u njoftua se doli me sukses, krejt papritur, Alvini ka ndërruar jetë nga Covid-19.

Arbër Hajdari nga nisma Fundjava ndryshe, tregon: "Bëmë të pamundurën, nuk u dorëzuam as kur Profesori më i mirë në Europë në spitalin e Lozanës, nuk e mori përsipër operacionin e Alvinit. U operua në Turqi, u përmirësua, po rehabilitohej shumë mirë. Por nuk paska qenë e thënë… Zoti e paska bërë për vete, siç duket! Alvini do jetë në parajsë, këtë e ka premtuar Zoti, për çdo fëmijë që ndërron jetë. Sa të jem gjallë nuk do ta harroj Alvinin, këtë fëmijë të mrekullueshëm, të zgjuar, të bukur, të mencur. Të Zotit jemi dhe tek ai do të kthehemi 💔"

Dy muaj më parë, në nismën Fundjava ndryshe mbërriti një telefonatë nga babai i Alvin, i cili kërkoi ndihmë për djalin e tij.

Alvin vuante nga një tumor i rrallë i cili përveçse i kishte marrë shikimin, kishte depërtuar në tru.

Brenda tri ditëve, fëmija u dërgua në një spital në Luzanë të Zvicrës. Katër ditë me rradhë, rasti u pa nga mjekët më me emër në Europë, e më pas u njoftua se Alvin ka vetëm një muaj jetë dhe që ishte shumë vonë.

Arbër Hajdari tregon sesi spitali zviceran i dha fëmijës vetëm një muaj jetë dhe vijon me përpjekjet në Stamboll.

"Na kërkuan ta nxjerrim nga spitali dhe që të kalojë momentet e fundit me familjen. Kjo gjë i tronditi prindërit dhe të gjithë ne që u angazhuam me këtë rast. U rikthyen në Tiranë, ndërkohë unë ato ditë vijoja disa takime pune në Stamboll.

I kërkova ndihmë disa bashkëpunëtorëve tanë atje, për të na lidhur me mjekët më të mirë që njihnin. Për disa orë u zhvillua një takim i gjatë midis doktorëve për rastin e Alvin. Përgjigja e tyre ishte kjo; Rasti është i rëndë, por ne mendojmë se nëse ka 1% shpresë për jetën, le të luftojmë për të.

Mezi po prisja të vija në Tiranë për të diskutuar me Eltonin, babain e Alvinit, ti tregoja se ka shpresë. Ata të gjithë ishin të trishtuar. U takuam së bashku, dhe të dy vendosëm ti shkojmë deri në fund. 24 orë më vonë u nisëm për në Stamboll ku u zhvillua operacioni prej 9 orësh dhe 7 mjekë.

Përgjigja e tyre ishte, ka dalë me sukses! Ky lajm na gëzoj pamasë. Mjekët thanë se trupi i djalit ka reaguar shumë mirë. Zoti ka bërë mrekulli!"

Më 23 janar kur u njoftuan suksesi, vijoi faza e terapive të rehabilitimit, por jashtë rrezikut për jetën.

Në këtë ditë, Arbër Hajdari gjendet me Alvinin e vogël, i cili ndërroi jetë orët e fundit.