Transmetuar më 14-02-2021, 09:13

Reshjet e dëborës kanë bllokuar disa nga akset kryesore të vendit.

Në Krujë, Fushë Krujë, dhe në Malësinë e Krujës janë bllokuar 3000 banorë, pasi dëbora në rrugë ka shkuar 50 cm dhe akset rrugore të saj janë të pakalueshëm edhe për shkak të ngricës.

Aksi Fushë Krujë-Krujë kalohet vetëm me zinxhirë dhe ka prezence ngrice në disa vende.

Në qarkun e Elbasanit dëbora ka vijuar deri në orët e para të mëngjesit duke shkaktuar probleme me lëvizjen e mjeteve dhe ngrica në rrugë. Si pasojë e stuhisë së dëborës 11 fshatra janë të bllokuara, ndërsa janë pa energji elektrike disa zona të Elbasanit dhe Librazhdit.

Të bllokuar në rrugë kanë mbetur edhe dhjetra kamionë të tonazhit të rëndë në aksin Librazhd-Elbasan.

Mbi 10 fshatra janë izoluar në Elbasan dhe Librazhd, ndërsa prej disa orësh aty mungon edhe energjia elektrike.

Situata kritike mbetet edhe në aksin Lezhë-Milot, ku qindra qytetarë të bllokuar janë detyruar të kalojnë natën në makina.

Në qarkun e Lezhës janë ndërprerë reshjet e dëborës prej orës 1 pas mesnate, por situata mbetet mjaft problematike. Temperaturat nën zero kanë sjell ngrica e për pasojë vështirësi lëvizje në shumë akse rrugore nacionale dhe qytete e fshatra.

Akset rrugore Peshkopi–Tiranë është i kalueshëm me vështirësi me zinxhirë, pjesa më e vështirë që bllokohet herë pas here nga Pishat e Bulqizës deri në Qafën e Buallit pasi fryn erë e fortë dhe mbush me borë trupin e rrugës. Aksi Peshkopi-Kukës kalohet me vështirësi me zinxhirë deri në Kalanë e Dodës, ndërsa nga Kalaja e Dodës më tej e bllokuar për shkak të erës së fortë.

Edhe qyteti i Beratit ka pasur reshje dëborë gjatë natës së kaluar dhe si pasojë ka mungesë të energjisë elektrike në disa lagje si dhe disa fshatra. Sa i përket qarkullimit të automjeteve, bëhet lehtësisht pa probleme.

Borë e dendur ka rënë dhe në qarkun e Korçës por nuk paraqiten problematika në akset rrugore.

Autoriteti Rrugor Kombëtar ka njoftuar se kontraktorët janë në terren dhe po punojnë për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve.

Në disa akse rrugore ka prezencë të madhe dëbore dhe akulli, çka i bën të kalueshme vetëm me zinxhirë.

/a.m/NOA.al