Transmetuar më 13-02-2021, 23:12

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pak minuta më parë vizitoi spitalin universitar të Traumës, për masat e marra për përballimin e situatës së krijuar nga moti ekstrem, që ka përfshirë të gjithë vendin.

"Kam qenë në komunikim gjatë gjithë ditës me drejtorët e spitaleve rajonale, drejtorët e spitaleve bashkiake edhe me Urgjencën Kombëtare. E gjithë Shëndetësia është në gatishmëri për të pritur rastet e urgjencave dhe emergjencave", tha Manastirliu.

Duke folur për situatën COVID, Manastirliu  nënvizoi se po bëhet gati skenari i parë për funksionimin e spitaleve rajonale për trajtimin e pacientëve me COVID.

"Situata në spitalet Covid është një situatë e kontrolluar, por numrat e pacientëve që marrin shërbime janë duke u rritur ditë pas dite. Gjatë kësaj periudhe spitalet rajonale kanë trajtuar raste post-covid, pra janë të përgatitur dhe ne kemi investuar për rritjen e kapaciteteve në këto spitale. Spitalet rajonale janë të gatshme për të ofruar shërbime dhe do të kemi funksionimin e skenarit të parë, siç e kemi thënë, me 5 spitalet e para rajonale në momentin që do të kemi një mbingarkesë të kapaciteteve të 4 spitaleve të Tiranës si dhe në rast të vështirësive të transportit si pasojë e motit të keq",  nënvizoi Manasirliu.

Nga Spitali i Traumës, Manastirliu u ka bërë  apel qytetarëve që për çdo emergjencë të telefonojnë në numrin 127.

"Kam një thirrje për të gjithë qytetarët, qëndroni në shtëpi, evitoni udhëtimet dhe nëse keni një problem, një emergjencë shëndetësore telefononi në numrin 127, pra Urgjencën Kombëtare. Gjithë ekipet tona janë në gatishmëri të plotë, të gjitha spitalet e vendit me Urgjencën Kombëtare janë në gatishmëri. Përveç misioneve të tjera, rreth 150 misione në ditë janë vetëm të fokusuara në ndihmë për pacientët me COVID", tha Manastirliu.

Urgjenca Kombëtare ka aktivizuar qendrën e maxi-emergjencës për monitorimin dhe përballimin e situatës në kushtet e motit ekstrem.