Transmetuar më 13-02-2021, 12:42

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas arrestimeve të bujshme të disa zyrtarëve në Gjykatën e Krujës nga ana e SPAK-ut, me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Shefi i qeverisë, është ndalur tek rasti i gjyqtares Enkeleida Hoxha, duke u shprehur se përdori forcën e abuzimit të saj, duke liruar njerëz që ishin dënuar me burgim të përjetshëm.

Për arrestimin e saj, Rama u shpreh se ky është shembulli që tregon se si sistemi duhet të funksionojë.

“Fakti, që një gjykatëse, një monstër, e cila e përdori në mënyrë spektakolare forcën e papërgjegjshmërisë disa kohë më parë dhe u habit gjitha dynjaja me vendimet e saj, për të liruar njerëz me dënim të përjetshëm, është sot në burg,  përbën shembullin se si sistemi do të funksionojë, – u shpreh Rama gjatë një aktiviteti ‘online’ me të rinjtë në Tiranë. – Kërkon shumë durim ngritja institucioneve të reja, janë një proces i vështirë. Sigurisht, ne premtuam drejtësi, por si do ta bëjmë drejtësinë? Ne do të bëjmë atë që nuk u bë që nga viti ’91, sepse po të ishin bërë sot, do të ishim më para, sepse bebja do të ishte bërë 10 vjeç. Por ne, na është dashur që gjërat t’i bëjmë nga e para. Por nuk ka formula magjike që gjërat të bëhen pa forcë lidershipi”, tha Rama.

Rama u ndal edhe tek mjeku i njohur në QSUT, Edvin Prifti, i akuzuar nga SPAK për korrupsion (por jo në lidhje direkte me rastet e arrestimeve në Krujë), të cilit iu gjetën në banesë dhe në zyrë thuajse 500 milionë lekë.

Për rastin e kardiologut, ndaj të cilit prokuroria ka kërkuar arrestimin e tij, me akuzën e pastrimit të parave, kryeministri zbuloi se kishte denoncim edhe nga drejtori i spitalit.

“Kjo është shenjë që sistemi ka nisur të funksionojë. Bashkë me gjykatësen, u arrestua një mjek, shef pavioni që iu gjetën paret e dynjasë. Është një lajm shumë i mirë për sistemin, pasi kjo do të rrisë besimin e njerëzve që do të denoncojnë. Në rastin e mjekut, ka pasur një denoncim që e ka përcjellë drejtori i spitalit e kështu gjërat vijnë bashkë".

Hetimet ndaj tij, nisën bazuar në përgjimet e sekretares së Gjykatës së Krujës, të cilat kishin filluar për lirimin e disa të dënuarve, por që kanë zbuluar për Prokurorinë e Posaçme, edhe korrupsionin në shëndetësi.

Mjeku Edvin Prifti dhe gjyqtarja e Gjykatës së Krujës, Enkeleida Hoxha kanë dalë sot në gjykatë për vlerësimin e masës së sigurisë, e cila nuk është dhënë ende.

Kujtojmë që pak ditë më parë, SPAK urdhëroi disa arrestime në Gjykatën e Krujës, mes të cilëve ishte edhe gjyqtarja Enkeleida Hoxha dhe avokati Aldo Tabaku, të cilët dyshoheshin se po përgatisnin dosjen për lirimin e një të dënuari për vrasje. /e.a/noa.al/