Transmetuar më 12-02-2021, 16:27

OPINION nga Mentor Kikia

Përgjimi për llogari të një hetimi ndaj një gjykatëseje në Krujë, zbuloi rastësisht edhe emrin e një mjeku që i kishte marrë para një sekretareje të gjykatës për ti kuruar nënën. Përgjimi i çoi prokurorët në shtëpinë e mjekut, ku gjetën dhe sekuestruan mbi 350 mijë Euro. Bëhet fjalë për një emër të njohur të mjeksisë tonë, doktorin e  kardio-kirurgjisë Edvin Prifti.

Pavarësisht se doktori është një emër i njohur dhe i sukseshëm, marrja e rryshfeteve për operacionet që bën në spitalin e shtetin, shkatërron çdo fije dinjiteti profesional e njerëzor.

Ndërsa rasti, tregon edhe njëherë sesa ulëritëse është nevoja për të eliminuar këtë pazar të shëmtuar me jetën e njerëzve në spitalet tona publike.

Mjekët të shpëtojnë jetën – thonë disa – ndaj i meritojnë paratë.

Po i meritojnë! Të shkojnë të hapin spitale private dhe ta bëjnë operacionin edhe 1 milion Euro. Spitalet publike janë që të shpëtojnë kokën edhe ata që nuk kanë mundësi të paguajnë tek privatët. Të detyrojnë një fukara të shesë lopën për të shpëtuar fëmijën, kjo nuk duhet të pranohet.

Padyshim që rritja e pagës është një opsion, por nuk besoj se do ti “hyjë në sy” një njeriu që siguron nga rryshfetet 1 mijë Euro në ditë.

Rritja e pagës duhet të shoqërohet me një “vetting” dhe ndëshkime penale. Shtrëngimi, përmes një mijë mënyrave, i qytetarëve që të paguajnë rryshfet është zhvatje, është një vepër penale.

Dhe ata që e bëjnë duhet të ndëshkohen.

(Foto marrë nga profili Facebook i autorit të artikullit)

/a.m/NOA.al