Transmetuar më 12-02-2021, 10:52

Mjeku kardiolog në QSUT, Petrit Vargu, ka deklaruar se në Shqipëri fshihen shifrat e vërteta të vdekjeve dhe shtrimeve nga Covid 19.

Në një lidhje direkte me Skype në ‘Abcnews’, ai u shpreh se arsyeja që ndodh, është sepse qeveria do që ta konsideroj një sukses të saj.

“Herë pas here kemi parë që ka rritje të rasteve, pasi ka rritje ka të testeve. Pasi këto raste kanë qenë edhe më herët. Ju e mbani mend të gjithë se çfarë ndodhi vjet në Bergamo, ku nuk kishte vend të fusnin arkivolet. Kjo ishte vetëm 30% e numrave. Ne jemi jashtëzakonisht poshtë imunitetit të tufës.

Nuk janë ato shifra, por indikatorët që ato kanë vënë për gravitetin e pandemisë në Shqipëri. Janë të detyruar të ulin shifrat për të thënë që problemi i pandemisë ishte një sukses për Shqipërinë”, tha Vargu.

Më tej, ai theksoi deklaratën e bërë disa muaj më parë që tani Shqipëria është duke kaluar valën e tretë të pandemisë.

Sipas Vargut, duhet që vendi ynë të marrë masa, duke qenë se po dyshohet se ka ardhur mutacioni anglez.

“Aktualisht jemi në valën e tretë të pandemisë dhe gjithë Europa, jo vetëm Shqipëria. Nuk duhet të harrojmë një gjë, mutacionet e reja janë më tepër teorikë se praktikë. Ne nuk kemi nevojë që të kemi mutacione, pasi varianti anglez është më shumë se 50%. Po ne nuk na shqetëson se i morëm masat tona. Ne themi, kështu e ka bërë gjermani, italiani, francezi. Po pse nuk i bëni si ata? Pse nuk i ndërprisni shkollat si ata, kur thuhet që mutacioni kap moshat e reja”, u shpreh doktori.