Transmetuar më 11-02-2021, 14:40

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar për arrestimin me urdhër të SPAK të gjyqtares në Krujë, Enkeleda Hoxha dhe të disa zyrtarëve të tjerë në këtë gjykatë, me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se ky është një lajm i shumë pritur për të gjithë ata shqiptarë që kanë mbështetur reformën në drejtësi.

"Prangosja e gjykatëses famëkeqe të Krujës dhe rrjetit të saj kriminal nga institucionet e reja të drejtësisë, është një lajm i shumëpritur për të gjithë ne, e për të gjithë atë shumicë dërrmuese shqiptarësh, që na kanë mbështetur me zjarr për Reformën në Drejtësi!, – shkruan Rama. – Ky lajm duhet të inkurajojë këdo që pret drejtësi për krimet e gjykatësve e prokurorëve të korruptuar dhe uroj që çuarja e këtij llumi para drejtësisë të vazhdojë! Kush s’ka kaluar Vetingun, duhet të përgjigjet, kush vazhdon të abuzojë meqë s’kalon dot Vetingun, duhet të ndalohet!".

Gjyqtarja Enkeleda Hoxha prej vitesh lakohet në media për shkak të disa vendimeve të dyshimta të dhëna prej saj.

Ajo ka liruar nga burgu ish-anëtarin e bandës së Durrësit, Endrit Dokle, i cili ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm.

Po ashtu, përmes gjyqtares Hoxha, lirinë e fitoi Genc Tafili, i dënuar për vrasjen e komisarit të policisë Arben Zylyftari si dhe Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim.

Po kështu, ajo ka liruar edhe Hekuran Billën, i cili u vra në një atentat më 12 qershor 2020 në zonën e "Komunës së Parisit" në Tiranë.

Ditën e sotme, pas një hetimi disa mujor të SPAK, u vu në pranga gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha, teksa po zhvillonte seancën gjyqësore për lirimin e një tjetër të dënuari, Saimir Petani.

Mes të arrestuarve janë edhe sekretarja e gjykatës, eksperti shëndetësor dhe avokati Aldo Tabaku, të cilët në bazë të një skeme të mirëfilltë kriminale dyshohet se kryenin veprime për lirimin e të dënuarve. /e.a/noa.al/