Transmetuar më 09-02-2021, 20:18

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka shpenzuar rreth 1.8 milionë lekë për dizajnimin e logos së tij. Por pas disa muajsh ka rezultuar se paratë kanë shkuar kot sepse logoja ishte e vjedhur.

Artistë të ndryshëm dhe profesorë kanë denoncuar Teatrin e Operas dhe Baletit se ka abuzuar me fondet pasi logoja e kopjuar kushton shumë më pak.

Njëri prej tyre është profesori Ardian Isufi, i cili ka ngritur shqetësimin në lidhje me këtë çështje. Ai tha për Euronews Albania se logoja është marrë në “mënyrë banale nga interneti”.

“Ka shumë kohë që konkurset që lidhen me elementë institucionalë të logos lënë për të dyshuar për sa i përket mënyrës së përzgjedhur. Kjo është një log tip, e cila në mënyrë banale është bërë një copy-paste nga një logotip, i cili është marrë nga interneti”, tha ai.

Sipas tij, kjo logo nuk e nderon një institucion kulturor siç është Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit.

“Kjo logo nuk nderon një nga institucionet më të rëndësishme kulturore, që të shkojë në këtë batak. E thënë pak më qartë për publikun është shkarkuar një logo në internet, e cila mund të merret në mënyrë shumë të lehtë dhe banale nga kushdo”, u shpreh ai.

/a.m/NOA.al