Transmetuar më 09-02-2021, 18:47

Kreu i qeverisë Edi Rama u shpreh sot se Komiteti i Ekspertëve do të njoftojë nesër vendimin, nëse do të ketë shtrëngim të masave lidhur me situatën aktuale Covid në vendin tonë.

Rama theksoi se nuk mund të ketë një izolim derisa kjo pandemi të mbarojë, pasi do kishte pasoja të rënda ekonomike por edhe për anën psikologjike. Por pritet të ketë masa shtesë, sipas zonave më të prekura, në kufizime orari, sikurse masa pritet të ketë për lokalet dhe restorantet, apo për grumbullimet si dhe përdorimi i maskës.

Me tej Rama kërkoi të respektohen masat për parandalimin e COVID, duke theksuar se ekspertët dyshojnë se në vend mund të kenë hyrë variantet e reja të virusit.

Ai tha se me ardhjen e dozave të dytë të vaksinave nga Pfizer do të nisë vaksinimi për të moshuarit fillimisht për ata 80-vjeç, 75 e  me radhë.

“Ne nuk kemi mbetur as te 1000 apo 2000, jemi sipas planit. I vetmi moment kur nuk ishim sipas planit është momenti kur Pfizer ka shtyrë procesin e lëvrimit për të gjithë jo vetëm për ne. Pas ardhjes së dozave të shkurtit do të nisë vaksina për të moshuarit. Do të nisë për ata 80 plus dhe pastaj do të zbresim 75 e me radhë. Ekspertët tanë janë dyshues që varianti jugo-afrikan dhe britanik mund të kenë hyrë në vend”.

“Këto dy variante rrisin shumë më tepër transmetueshmërinë dhe janë më vdekje prurës. Ne duhet të zbatojmë masat”.

“Nesër komiteti teknik do mblidhet. Qëllimi është të rrimë në ekuilibër sepse duhet të mbajnë ekuilibër mes ekonominë, anës psikologjike dhe shëndetit. Nuk mund të mbyllemi nëpër shtëpia derisa të mbarojë kjo punë. Nuk duhet të marrim më qafë njerëz me veprime skandaloze kur gjëja është shumë e qartë”, tha Rama, lidhur me situatën epidemiologjike në vend.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, sot janë kryer 4562 testime, prej nga ku rezultuan 1239 të infektuar, shifër kjo record që nga rasti i parë i pandemisë. Janë 805 të shëruar, ndërsa raportohen 16 humbje jete në 24 orët e fundit.

Edhe situata aktuale në spitale nuk paraqitet aq optmiste.

Në 4 spitalet COVID po trajtohen 471 pacientë, 32 në terapi intensive nga të cilët 11 pacientë janë të intubuar. /a.m/NOA.al