Transmetuar më 05-02-2021, 20:34

Rritje alarmante sa i përket shifrave të vdekjeve është regjistruar më 2020, në Kosovë.

Plot 1556 vdekje më shumë janë regjistruar në 12 muajt e 2020-s në krahasim me 12 muajt paraprakë.

Më 2020 në Kosovë vdiqën 11 mijë e 108 persona. Kjo mund t’i referohet rritjes së vdekjeve si pasojë e koronavirusit.

Besnik Pula, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Virginia Tech, ka përpiluar një grafik me të dhënat e nxjerra nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Ai ka bërë krahasimin, pos me 2019-n, edhe me një vit më herët.

2242 më shumë vdekje u regjistruan më 2020 në raport me 2018-n.

“Vdekjet në Kosovë, 2020 në krahasim me 2019 dhe 2018; ose, kostoja e lartë e Covid-19. Në vitin 2020 Kosova kishte 1.556 më shumë vdekje se në vitin 2019 e 2.242 më shumë vdekje se në vitin 2018. Me një fjalë, numri i vdekjeve vjetore në Kosovë është me mijëra mbi shkallën normale”, ka shkruar ai në sqarim rreth grafikut.

Në komentin e tij, ai ka kritikuar partitë politike që po bëjnë shkelje të vazhdueshme të masave.

Sipas tij, “me këtë ritëm takimesh e tubimesh elektorale, e mospërfillje të përgjithshme ndaj udhëzimeve mjekësore dhe masave për parandalimin e përhapjes së virusit, e me vaksinën askund në horizont, Kosova me sa duket ka vendosur që në vitin 2021 ta thyejë edhe këtë rekord”.

Si pasojë e koronavirusit, që kur në Kosovë u regjistrua për herën e parë në muajin mars të 2020-s, kanë vdekur 1519 persona. Aktualisht janë 6714 raste aktive./a.m/NOA.al