Transmetuar më 05-02-2021, 14:08

Në vitin 2018, kur po kthehej nga puna në shtëpi, atë e zuri gjumi në timon, duke devijuar nga rruga. Pas aksidentit të rëndë me makinë, një 22-vjeçar nga Nju Xhersi, Joe Di Meo, kishte djegie të shkallës së tretë në më shumë se 80 përqind të trupit.

Ai kaloi muaj në spital, midis djegies dhe gjendjes së komas të shkaktuar nga ilaçet. Tani, i riu ka pasur mundësinë të fillojë një jetë të re: ai është në fakt njeriu i parë në botë që ka kryer me sukses një transplant të njëkohshëm të fytyrës dhe duarve.

Mrekullia ka ndodhur në spitalin amerikan, "Langone" në Nju Jork.

"Unë mendoj se të gjithë duhet ta dinë këtë histori, shpresoj se do t’i frymëzojë të tjerët për të rifituar besimin. Ju duhet të punoni shumë për të ndryshuar gjërat, mos u dorëzoni kurrë", tha Di Meo.

Joe falënderoi mjekët në "NYU Langone Health", të cilët kryen procedurën, duke përdorur duart dhe indet e fytyrës të një dhuruesi të vdekur, të hequr me kujdes dhe të zëvendësuar me implantet e shtypura 3D.

Një operacion i komplikuar, i cili zgjati rreth 23 orë, gushtin e kaluar dhe që përfshiu një ekip prej 96 punonjësish shëndetësorë, të udhëhequr nga prof. Eduardo Rodriguez.

Transplantimi, përfshinte të dy duart, deri në mes të parakrahut, duke përfshirë rrezet dhe kockat dhe 21 tendina.

Fytyra u transplantua plotësisht, duke përfshirë ballin, të dy veshët, hundën, qepallat, buzët dhe segmentet themelore të kafkës, faqeve, hundës dhe mjekrës. Një procedurë shumë e rrezikshme, por e suksesshme, thonë mjekët.

"Aftësitë motorike të pacientit, vazhdojnë të përmirësohen, – shpjegon Dr. Rodriguez, i cili është ende i kujdesshëm. – Ne nuk jemi të sigurt, nëse ai do të vijë në përmirësim e sipër, por ne po e monitorojmë atë, i japim ilaçe dhe ndjekim një protokoll të rreptë të imuno-presionit. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që Joe nuk ka ndonjë traumë në duart ose fytyrën e tij. Disa dëmtime traumatike mund ta ekspozojnë atë ndaj një përkeqësimi akut. Mundësia ekziston gjithmonë".

Para Joes, dy transplantime të tjera të njëkohshme të fytyrës dhe duarve, kishin dështuar në këtë spital. Njëri nga pacientët, kishte vdekur nga ndërlikimet që kishin të bënin me infeksionin.

Ndërkohë, djali tha se ndihej sikur kishte rilindur dhe bëri krahasimin me përdorimin e duarve të tij të reja, me ato të një fëmije që kapte sende për herë të parë, raporton Noa.al, duke cituar median italiane, "Tgcom".

"Unë mund të bëj shumë gjëra, nganjëherë hap një shishe me ujë, është mjaft e vështirë, – thotë ai, – nuk e di nëse e mbaj fort fort apo jo. Por në çdo rast mund të bëj shumë gjëra". /e.a/noa.al/