Transmetuar më 31-01-2021, 20:04

Projektligji vetëm 2 javë pas ndryshimit të pronarit të aksioneve është një fakt tepër i rëndë, që flet vetë se si qeveria në ikje shkel çdo ligj dhe kërkon të rrëmbejë ç’të gjejë përpara

Qeveria e kryeministrit Edi Rama e përdor Aeroportin e vetëm Ndërkombëtar si plaçkë tregu për xhepat e saj! Akuza vjen nga Lëvizja Socialiste për Integrim.  Nënkryetari i saj, Petrit Vasili, u shpreh sot se përballë faktit që mijëra biznese kanë falimentuar dhe shumë të tjera janë mbyllur, qeveria ka si merak të saj, fitimet e pronarit të ri të aeroportit, duke iu referuar Kastratit.

"Qeveria, qe nuk e ve fare ujin ne zjarr per mijra e mijra biznese, qe falimentuan dhe u mbyllen per shkak te Pandemise ka shume "merak" per fitimet e pronarit privat, qe sapo ka shtëne ne dore Aeroportin Nene Tereza".

Qeveria ne relacionin, qe shoqeron Projektligjin, qe e zgjat edhe 13 vjet koncesionin shkruan:

"Meqënëse raporti është hartuar për një periudhë mbi tri vite përpara dhe është konsideruar pjesërisht i pranueshëm, sepse pandemia COVID-19 ka ndikuar negativisht në aktivitetin e TIA-s, duke hedhur poshtë të gjitha progresionet pozitive të parashikuara nga BDO-ja për vitin 2020 e në vijim, palët kanë vendosur të përziejnë disa prej skenarëve të këtij raporti në miratimin e investimeve nga shoqëria koncesionare ” shkruan relacioni i Projektligjit te depozituar ne Kuvendin e Shqiperise.

Për Vasilin, "relacioni nxjerr zbuluar pazarin, qe Qeveria ka bere ne menyren te trashe, pasi dihet boterisht se privati, qe e bleu 100% te aksioneve te Aeroportit e beri kete gjate vitit te pandemise.

Pra privati e dinte fort mire, sic e di edhe shqiptari me i fundit, se Pandemia kishte shkaktuar humbje dhe megjithate ai e bleu duke ditur edhe afatin e mbylljes se Koncesionit ne vitin 2027".

Vasili vlerëson se "Kastrati Group nuk i bleu me pahir 100% te aksioneve, pasi e kishte te gjithe informacionin per situaten ekonomike te Aeroportit, e megjithate ai e bleu ate. Qeveria tani na del sikur i " qan" hallin e "mërzitet" bile edhe me shume se sa privati, qe e bleu, se ky i fundit do te fitokerka shume pak dhe jo aq sa "duhej"!

Por ka disa pyetje qe Qeveria duhet te pergjigjet deri në një, thotë Vasili dhe i rendit më poshtë:

Përse kjo zgjatje u be pa garë?

Perse nuk u prit përfundimi i koncesionit për të hapur një garë trasparente, jo klienteliste dhe jo korruptive?

Si është e mundur, që ndërsa privati blen Aeroportin vetëm një muaj më parë, vetëm pas dy javësh del Projektligji për shtyrje me 13 vjet?

Ligji “PËR KONCESIONET DHE PARTNERITETIN PUBLIK PRIVAT” është shumë i qartë dhe i pakalueshëm.

Nenet per ndryshimin e koncesioneve shprehen si më poshtë në këtë ligj:

Neni 31 Ndryshimi i kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat 4. Ndryshimet e kushteve thelbësore të kontratës, që nuk parashikohen në dokumentacionin e tenderit dhe/ose në vetë kontratën, kërkojnë zbatimin e një procedure të re të dhënies së kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat. 5. Pa shkelur dispozitat e neneve 32 dhe 33 të këtij ligji, termi “kushtet thelbësore” u referohet në veçanti kushteve, të cilat, nëse do të kishin qenë të përfshira në njoftimin fillestar të kontratës ose në dokumentacionin e tenderit, do të kishin bërë të mundur që ofertuesit të dorëzonin një ofertë në thelb të ndryshme, si dhe nëse ndryshimet do të kishin tejkaluar objektin e kontratës në atë masë që këto ndryshime do të përfshinin shërbimet që nuk mbulohen fillimisht".

Pra Koncesionari i ri merr realisht me koncesion Aeroportin Nene Tereza për 20 vjet, 7 vjet ekzistues plus 13 vjet shtesë aq sa është koncesioni baze i 2005, që kishte kohëzgjatje prej 20 vjetësh.

Kjo është shkelje flagrante e ligjit pasi Kohëzgjatja e Koncesionit është Kusht thelbesor i Koncesionit, kusht që bën diferencen ndaj do të duhej detyrimisht të bëhej një Procedurë e Re e dhënies së Koncesionit ashtu siç e kërkon ligji në mënyrë taksative.

Është e qartë se ky operacion u drejtua nën rrogoz nga qeveria për interesat e saj të errëta dhe nuk ishte një marrëdhënie biznesi mes privatesh, që shesin e blejnë aksione mes tyre.

Projektligji vetëm 2 javë pas ndryshimit të pronarit të aksioneve është një fakt tepër i rëndë, që flet vetë se si qeveria në ikje shkel çdo ligj dhe kërkon të rrëmbejë ç’të gjejë përpara.

Qeveria po shkel shumë rëndë edhe Kodin Zgjedhor, që ndalon prerë kryerjen e procedurave të tilla katër muaj përpara zgjedhjeve dhe për këtë qeveria do të përgjigjet përpara ligjit", paralajmëron ish ministri Vasili.