Transmetuar më 29-01-2021, 22:16

Aeroporti Ndërkombëtar "Nënë Tereza" do tu kthehet shqiptarëve dhe shtetit të tyre sipas përcaktimeve fillestare të kontratës koncesionare.

Paralajmërimin e bëri sot kryetari i opozitës dhe kandidat për kryeministër pas zgjedhjeve të 25 prillit, Lulzim Basha.

Për herë të parë, Basha foli sonte për koncesionin që qeveria e Edi Ramës ia dha bujarisht Kastratit, kompani që ka marrë një shtrirje marramendëse në biznese nga më të ndryshmet përfshirë ato publike.

Pasi mori koncesionin e rrugës së Kombit ku mjetet paguajnë duke filluar nga 1320 lekë vajtje ardhje, Kastrati ka marrë dhe të vetmin aeroport të Shqipërisë, Nënë Terezën.

Por duket se me ardhjen e opozitës në pushtet më 25 prill, ky koncesion do të zhbëhet. Këtë e siguroi sonte z.Basha:

"Çdo akt koncesioni, PPP apo zgjatje koncesioni i propozuar nga qeveria ne ikje, është në shkelje flagrante të ligjeve të vendit. Zotohem para çdo shqiptari se unë dhe qeveria ime nuk do të njohim asnjë akt të tillë dhe do ta zhbëjmë atë."

Reagimi i z.Basha erdhi pasi më herët sot u raportuan se Qeveria ka miratuar zgjatjen e kontratës koncesionare të Aeroportit “Nënë Tereza” edhe për 13 vjet të tjera. Në kontratën e parë të nënshkruar në vitin 2004 parashikohej një koncesion prej 22 vitesh.

Projektligji i cili ka mbërritur në parlament e zgjat koncesionin në 35 vite në favor të kompanisë “Kastrati”.

Më 1 dhjetor 2020 u firmos marrëveshja mes “Kastrati Group” dhe grupit kinez “Real Fortress Private Limited”, marrëveshje e cila i kalon 100% të aksioneve, kompanisë Kastrati, për 71 milionë euro. Kastrati do të paguajë 15 milionë euro si pagesë fillestare, teksa pjesa tjetër e vlerës do të jetë për mbylljen e procesit.

Vendimi për blerjen është zyrtarizuar pasi transaksioni është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Aeroporti është menaxhuar fillimisht nga gjermanët, për t’i kaluar më pas grupit kinez dhe së fundmi Kastratit. /noa.al/