Transmetuar më 29-01-2021, 19:40

Në ka një gjë që socialistët me Edi Ramën dhe Erion Veliaj në krye, e bëjnë shumë mirë, është fasada. Për fasada e kanë treguar me vepra se dinë të bëjnë plot.

Por në rastin e Teatrit Bylis në Fier, as këtë nuk e kanë arritur dot. Shikoni fotot që flasin vetë, të cilat i solli sot në vëmendje, arkitektja dhe aktivistët, ing. Doriana Musai.

Kjo është një pamje pas rindërtimit që Edi Rama shpalli në 2016. Punimet u tejzgjatën dhe vetëm pas vitit 2019 përfunduan.

Por ajo që reklamon Edi Rama nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Shikoni foton më poshtë.

Është një maket që publikoi Rama në 3D më 2016. Siç e shihni, maketi dhe fakti nuk kanë asnjë përputhje.

"Edhe teatri i Fierit do të rindërtohet. I përfunduar pjesërisht përpara viteve ’90 dhe tërësisht i amortizuar, teatri i Bashkisë së Re të Fierit, (ku nën drejtimin e ri të një kryebashkiaku shembullor, po ndodhin transformime shumë të ndjeshme në kuadrin e Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane), do të marrë së shpejti përmasën e ndryshimit që meriton komuniteti fierak”-shkruante Rama më 2016.

Por siç e shihni 3D nga realja janë goxha larg. Lind pyetja: A e ka parë Edi Rama ndryshimin që premtoi? Dhe, a mban dikush përgjegjësi për këtë, ose qoftë dhe një shpjegim pse nuk u bë?

Teatri "Bylis" u krijua në vitin 1971 nga bashkimi i trupës amatore të teatrit dramatik me një grup aktorësh të rinj të sapodiplomuar, të cilët u emëruan në Fier nga Ministria e atëhershme e Arsimit dhe Kulturës.

Teatri "Bylis" përfshinte në vetvete dy trupa teatrore: Teatrin Dramatik dhe Teatrin e Estradës. Ai e nisi veprimtarinë në godinën e re të ndërtuar enkas për këtë qëllim (teatri i sotëm) me kapacitet spektatorësh prej 480 vendesh. Ky emërtim "Bylis" u bë për disa arsye: Së pari emrin Apoloni (e cila ndodhet më pranë qytetit Fier, sot pjesë territorial e Bashkisë) e mbanin shumë subjekte social-kulturore në qytetin e Fierit; Së dyti, rrënojat e qytetit të Bylisit që ndodhen në fshatin Hekal të Mallakastrës dhe atëherë kjo krahinë ishte pjesë përbërëse e rrethit të Fierit; Së treti edhe në Bylis, dikur një nga qendrat kryesore ekonomike dhe shoqërore të Ilirisë së jugut, kishte ekzistuar një traditë teatrore, që ishte përfaqësuar nga ekzistenca e një teatri më të madh nga përmasat se ai i Apolonisë.