Transmetuar më 28-01-2021, 18:35

Ngjarja e djeshme në Kosovë ka tronditur publikun.

Biznesmeni Skënder Krasniqi vrau me armë zjarri djalin e tij Albert Krasniqi. I njohur si menaxher i disa grupeve muzikore, pas konflikteve të vazhdueshme që kishin në familje.

I ati pas krimit ka njoftuar policinë dhe është ndaluar.

Ngjarja ndodhi pak ditë pasi Alberti i ka dhënë fund martesës me ish-Missin e Kosovës Besa Gashi dhe dyshohet se pati motiv pikërisht dhunën që ai kishte ushtruar ndaj saj.

Gazetarja Qendresa Tërshani nga Kosova në lidhje direkte me emisionin “Rudina” në Klan, ka hedhur poshtë këtë version dhe shprehet se familjarët së bashku me xhaxhain e Albertit, Ismet Krasniqi kanë deklaruar se vrasja ishte aksidentale.

“Sot ka ndryshuar gjithçka pasi familjarët pak më herët kanë deklaruar që vrasja ishte aksidentale.

“Varrimi i Albertit u bë para disa orësh dhe Ismet Krasniqi që është xhaxhai i Albertit ka deklaruar se vrasja është bërë në mënyrë aksidentale, pa dashje”.

“Sipas xhaxhait Alberti ka blerë një revole dhe ka dashur t’ja tregojë babait të tij. Babai e ka marrë revolen duke e shikuar se çfarë revole është dhe pa e ditur që brenda revoles ka një plumb dhe pa dashje e ka shkrepur atë në drejtim të Albertit. Kështu ka ndodhur dhe vdekja e Albertit”.

“Ky është versioni i familjes për këtë ngjarje derisa organet e rendit dhe policia ende nuk ka dhënë ende ndonjë detaj lidhur me këtë ngjarje, kanë treguar vetëm se në vendin e ngjarjes është gjetur një armë zjarri e cila është marrë nga policia, është gjetur një karikator, një gëzhojë dhe 3 fishekë”, tha gazetarja, duke iu referuar pretendimit të fundit.

I ndjeri prej vitesh ishte martuar me ish miss-in, Besa Gashi, me të cilën kishin edhe një vajzë. Madje dyshohej se ai kishte ushtruar dhunë ndaj saj. Kjo mendohet se ishte edhe arsyeja që ai ishte në kërkim. Dyshohet se pas një konflikti me babain, i cili i kërkonte që Alberti të dorëzohej autoriteteve, ka ndodhur përplasja mes tyre, që çoi në vrasje.

Por këto pretendime të lakuara gjerësisht në media janë hedhur sot poshtë nga familjarët e Albert Krasniqit.

/a.m/NOA.al